Shtatorja e Azemit, Patozi: Nderimi i vërtetë është ftesa për betejë

Në Tropojë sot u ”rikthye” Azem Hajdari. Në qendër të qytetit u vendos shtatorja e heroit demokratik, për të cilën ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi shprehet se pas 20 vitesh, është sërisht Azemi që e solli në Tropojë. Në një postim në facebook, Patozi bën një krahasim me atë kohë dhe situatën e sotme, ku shton se shumë ujëra kanë rrjedhur.

”Në Tropojë kisha qenë për herë te fundit në verën e 1997-ës. Ishte fushatë dhe mbaj mend që isha në autokolonë vetëm një makinë pas Azem Hajdarit. Ka qenë udhëtim i vështirë dhe plot tension, në sintoni  me kohën e vështirë që kalonte Shqipëria. Pak më shumë se 20 vjet më vonë, sot e pashë sërish Azemin në qendër të Bajram Currit, të derdhur në bronz. Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, rruga është e qetë dhe pa të papritura, por jeta nuk është asnjëherë e lehtë dhe paqja nuk vjen vetëm atëherë kur nuk ka luftë”,-shkruan ish-deputeti.

Por Astrit Patozi mendon se nderimi i vërtetë nuk është shtatorja por ftesa për kurajo dhe guxim për një betejë, që njeriu beson mbi vlerat.

”Nderimi i vërtetë për Azem Hajdarit shkon përtej asaj shtatoreje, e cila prej sot do të zbukurojë sheshin e vendlindjes së tij. Ai është në fakt një ftesë për kurajo dhe guxim për çdo njeri të lirë, që bën betejë për vlerat që beson”,-shkruan Patozi..