Përurohet busti i Azemit, Basha: Vazhdon të na ndriçojë rrugën

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Azem Hajdarit në Tropojë, organizuar nga Bashkia e Tropojës, kreu i PD-së Lulzim Basha, shprehu gëzimin dhe dëshirën e madhe për këtë ”kthim” të Azem Hajdarit në Tropojë.

Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë, Basha tha se:”Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë. Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj. Si udhëheqës politik, Azem Hajdari. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për çka bëri për lirinë e gjithëve ne”,-tha kreu i PD-së.

Më tej ai theksoi se Azemi vazhdon ende të ndriçojë rrugën dhe se Tropoja sot duket më e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit.

”Kjo është vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të. Në fakt përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën. Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit”,-shtoi më tej Lulzim Basha.

Fjala e mbajtur nga Kreu i PD:

Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, në këtë ditë solemne të rikthimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, në vendlindjen e tij të dashur, në Tropojën e tij të shtrenjtë.

Këto male, e di janë plot me heroizëm dhe lavdi shqiptare që shkon thellë në histori. Azem Hajdari është heroi më i ri, është një maje e lartë e këtij panteoni të historisë e kombit tonë. Ai është udhëheqësi i Lëvizjes Studentore demokratike dhe intelektuale të Dhjetorit 1990.

Tropojës i takon nderi t’i ketë dhënë kësaj lëvizje historike që hapi epokën e demokracisë europiane në Shqipëri edhe liderin e Studentëve të Dhjetorit, Azem Hajdarin, edhe liderin historik të demokracisë shqiptare Sali Berishën.

Azem Hajdari e shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare, e shënoi që nga çasti kur në emër të studentëve që u ngritën bashkë me të dhe me thirrjen e tij kundër diktaturës komuniste kërkoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipërinë e telave me gjemba e deri kur armiqtë e lirisë e goditën pabesisht, për ta ndarë në mes të një rruge të gjatë betejash, arritjesh, sfidash dhe sakrificash nga gjiri ynë. Beteja, sakrifica dhe sfida për të ruajtur busullën dhe kursin perëndimor të demokracisë së brishtë shqiptare.

Azem Hajdari është nga brumi i atyre heronjve që me kalimin e kohës e tresin brenda emrit të tyre çdo epitet që mund të thuhet për ta.

Azemi është uragani, është tribuni, është guximi, është trimëria, është frymëzimi, është liria, është shqiptaria.

Emri i tij është personifikimi i këtyre vlerave që mishërojnë dhe lartësojnë njeriun, shqiptarin, atdhetarin.

Si bir i familjes ku i lind dhe i krahinës ku u rrit, Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojë dhe ju jeni krenarë për birin tuaj. Si udhëheqës politik Azem Hajdari i përket Partisë Demokratike të Shqipërisë, themelues dhe kryetari i parë i së cilës ishte. Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës dhe krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si heroi i demokracisë Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit.

Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij.

Shqiptarët i detyrohen shumë me mirënjohje dhe nderim për gjithçka bëri e dha për lirinë e të gjithëve ne.

Duke i prirë betejës së madhe fisnike dhe heroike për lirinë e të gjithëve Azemi fitoi përjetësinë. Ky është fati i luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore që ngrihet sot në nderim të tij është vetëm njëra prej përmendoreve në mbarë vendin, në mbarë kombin.

Në fakt përmendoren më të madhe të Azemit e kemi e në zemrat dhe mendjet tona. Këtu në zemrat dhe mendjet tona Azem Hajdari vazhdon të na ndriçojë rrugën. Këtu në mendjet dhe në zemrat tona Azemi na flet sikur të ishte i gjallë, sepse këtu është dhe do të mbetet i gjallë përherë.

Në mendjen dhe në zemrën time, në mendjet dhe zemrat e mbarë rinisë shqiptare kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se Liria nuk është një dhuratë e përjetshme, se liria u përket atyre që e duan dhe e çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë, se Liria shërbehet e duhet të shërbehet me përkushtim e sakrifica. Se liria fitohet e mbahet me beteja duke shkuar çdo ditë në luftë për të. Se liria është mision për drejtuesit politikë.

Ky është Azemi i pavdekshëm i mendjeve dhe zemrave.

Por sa bukur ta shohim sot në një vepër arti, në një përmendore si kjo që u lartësua në qytetin e tij të lindjes. Kështu kthehen heronjtë. Do ta keni në mesin tuaj, do të zgjoheni e ngryseni me të, me bashkëqytetarin tuaj të përjetshëm.

Tropoja është sot më e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit.