Lesi te Zheji: Do të ketë fortunë dhe arrestime në politikë

Gazetari dhe botuesi Nikollë Lesi, gjatë emisionit ”360 Gradë” të Artur ZHEJIT paralajmëron furtunë në politikën shqiptare. Sipas tij, nga sot deri në Samitin e BE-së, që do të mbahet në Bullgari gjatë muajit maj vitin e ardhshëm, do të ketë shumë turbulenca e arrestime në politikën shqiptare.

”Nuk ka mbaruar ende asgjë. Akoma s’keni parë gjë akoma. Unë nuk uroj qe  të ketë arrestime, sepse është privim i lirisë së një personi, por mendoj që është një proçes që sapo ka nisur dhe siç e kam thënë më parë, që para Samitit të BE-së në maj 2018 do ketë shumë stuhi, turbulenca në politikë dhe besoj edhe arrestime në Shqipëri”,-u shpreh Lesi.

Nikollë Lesi në një moment të mëtejshëm të emisionit u shpreh se PS-së i ka kushtuar çështja Tahiri aq energji sa do i kushtonte Ramës qeverisja 4-vjeçare. “Në dhjetët ditët e fundit, duke u marrë me çështjen Tahiri, Rama ka harxhuar sa 4 vite qeverisje të ardhshme.”

Dhe më tej ai shtoi se”do jetë gjykata e cila vendos nëse është i fajshëm apo i pafajshëm Tahiri, por si mundet që kryeministri bëri një gabim; edhe e mbrojti, edhe e përjashtoi nga PS.  Ose kryeministri ka informacione se mund të dalin më vone fakte komprementuese dhe e përjashtoi de facto nga PS që të shpëtoj veten dhe PS”- shtoi më tej botuesi i gazetës ”Koha Jonë”.