Azemi rikthen Berishën në Tropojë: Luftoi për Shqipërinë Europiane (VIDEO)

Përurimi i shtatores së Azem Hajdarit, në qendër të qytetit të Bajram Currit, ka mbledhur demokratë e jo vetëm. Në këtë ditë të veçantë, nuk ka munguar as lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Ish-kryeministri së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha udhëtuan drejt veriut për të qenë pjesë e ceremonisë.

Në fjalën e mbajtur, ish-kryeministri Berisha shpalosi forcën e Azem Hajdarit, ku theksoi se: ”Azem Hajdari do të kthehej do të shndërrohej në legjendën e vërtetë. Do të ngrihej si luan mbi mitrolozët, përballë autoblindave, përballë një diktature më të rëndat e Europës, do të brohoriste. Do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët, që shqiptarët të ngrihen kudo si njerëz me besim dhe krenarë!”

Më tej lideri historik i PD-së, përçoi një apel frymëzuar nga Azemi, e kjo për t’u ndarë nga çdo e keqe, për të ecur të sigurtë.

”Vëllezër dhe motra! Azem Hajdari jeton e do të jetojë përjetë në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari të kësaj toke që do të ndihet i barabartë, me dinjitet, kokëlartë, ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim pasi pas 27 vitesh nuk mund të mohohet se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë. Velloja e narkotikëve ka bërë që shqiptarët të mos vendosin dot për fatin e tyre, që emri i tyre të mos shkëlqejë në mes të kombeve të tjera. Por ne jemi këtu sot të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë nga çdo e keqe, për të ecur të sigurtë drejt hapësirave që meritojmë. Shqipëria europiane është ëndrra jonë. Të luftojmë ta bëjmë realitet sa më shpejt”, theksoi Sali Berisha.

Prej vitit 1997, dy kanë qenë vizitat e ish-kryeministrit në Tropojë (të paktën publikisht). Vizita e parë u bë gjatë fushatës elektorale të vitit 2009 dhe u shoqërua me masa shumë të forta sigurie, ndërsa vizita e dytë u krye ekzaktësisht katër vite më pas, në qershor të 2013.