Viti i Skënderbeut?! Më parë çlironi kalanë e Heroit nga plehrat…

Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora News denoncoi mbrëmjen e sotme lënien terësisht në harresë të kalasë së Skëndërbeut në Kepin e Rodonit. Monumenti i Kulturës numëron dhjetra vizitorë e turistë në ditë por problem mbetet ndotja, mbetje urbane nga më të ndryshmet te hedhura kudo.

Më datë 30 gusht përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama, njoftoi se qeveria e re e Shqipërisë në vendimin e saj të parë do të shpallte vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Mes rreshtave të këtij statusi ai shkruan:

“Një Komision i Posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti, ku përveç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare. Kontributi i çdokujt prej jush dhe i kujtdo që ka një ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve të vitit mbarëkombëtar të SKënderbeut, është mëse i mirëpritur” .

Në 28 nëntor është 105 vjetori i shpalljes së pavarësisë, 17 janar kremtohet 550 vjetori i vdekjes se Heroit tonë Kombëtar dhe 10 qershori që përkon me 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Një muaj pas publikimit të këtij statusi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Ramush Haradinaj, prezantuan dhe ngritjen e komisionit shtetëror të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Përveç emrit dhe bëmave të tij, Heroi ynë Kombëtar ka lënë pas dhe kala të ndërtuara në kohën e tij, që sot janë kthyer në Monumente Kulture.

Një prej tyre është edhe Kalaja e Skënderbeut e vendosur në Kepin e Rodonit. Kjo kështjellë filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450.

Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Sot janë mbetjet ato që kanë pushtuar këtë kala. Aty është vendi ku të vjen turp ta quash vetën pasardhës i Skënderbeut.

Ky Monument Kulture duket tërësisht i lënë në harresë. As mirëmbajtje, as pastrim, as kosha mbeturinash, asgjë. Vetëm pisllëk dhe dhjetra, qindra turistë, vendas dhe të huaj që e vizitojnë çdo ditë.

Meqenëse Rama kërkoi sugjerime apo ide për vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, BOOM ka një sugjerim për Kryeministrin: Të vërë dorë mbi këtë Monument Kulture, mbi kalanë e Skënderbeut.

Brenda kalasë së Skëndërbeut të pushtuar nga mbetjet

Emisioni BOOM vizitoi kalanë e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Sapo hyn në kala, prezantohesh me një tabelë, të cilën mund ta kuptosh vetëm po të jesh anglez, pasi pjesa e shpjegimit në gjuhën shqipe është grisur.

Brenda pamjet flasin vetë, kalaja brenda dhe jashte mureve ka mbeturina të shumta urbane, gjen që nga shapkat, bidonat plastik, qese etj.

Kalaja e Skëndërbeut numëron dhjetra vizitorë dhe turistë në ditë

Rreth kalasë kishte disa banorë të zonave përreth që merreshin me peshkim.Ata i thanë gazetares së BOOM se aty nuk kishte roje, as kosha dhe as një njeri që të merrej me mirëmbajtjen, ndërsa turistët nuk mungonin asnjë ditë.

Vetëm për dy orë që gazetarët qëndruan atje këtë kala e vizituan afërsisht 40 veta. Disa kishin ardhur individualisht e disa të tjerë me anë të agjencive turistike.

Banori: Ditë të shtune, ditë të diele, vijnë shumë turistë këtu.Edhe ditë jave vijnë plot. Shumë vijnë , por s`kanë bërë asnjë lloj punimi, s`kanë vënë dorë fare. Vijnë italian, gjerman, shqiptar vijnë shumë. Këtu është problemi se shih si i lënë pislliqet dhe s`bëjnë pastrim fare.

Gazetarja: Kosha ka këtej vërdallë?- Jo,  ku ekzistojnë koshat këtu. S`ka vënë kush kosha këtej.  

Përfaqësuesi i agjensisë turistike: Ky destinacion është shumë i preferuar nga turistët, jo vetëm për shkak të rëndësisë arkeologjike, por për shkak të përzierjes së kulturës, kemi dhe një kishë të vjetër, natyra është shumë e bukur dhe duhet mbajtur shumë pastër. Është për të ardhur keq gjendja që ndodhet këtu…duhet patjetër të merren masa, të përdoren fonde për pastrimin e bregut të detit dhe të vendit këtu.

Vizitorja: Kemi parë që ka plehra gjithandej dhe patjetër që është shqetësuese, duke marrë parasysh që është një destinacion shumë i preferuar jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët. Jemi një grup profesionistësh, disa shqiptarë, disa të huaj. Pasi mbaruam takimet e punës vendosëm t`ju tregojmë këtyre të huajve që kemi dhe vende të bukura.

Turistët e huaj u shprehën entuziast, duke vlerësuar faktin se kjo kala ka vlera historike, krahas bukurisë, ndaj dhe i tërheq më shumë.  

Turisti: Unë jam nga Amerika, Orlando, Florida. Është hera e parë që vij këtu. Është një vend i bukur, dhe në fakt të jesh këtu në kalanë e Skënderbeut, në një pjesë të pabesueshme të historisë, është emocionuese, të shohësh çfarë ka ndodhur shumë vite më parë. Më interesantja këtu është të mësosh për historinë tuaj dhe Skënderbeut, i cili ka qenë një hero këtu dhe në fakt të vish dhe të shohësh kështjellën e tij dhe çfarë ai mund të ketë bërë shumë kohë më parë.

Turisti: Është shumë interesante të jesh këtu si një amerikan dhe të shohësh që këtu 500- 600 vjet më parë kjo u ndërtua u bë që të ishte për njërëzit dhe më tutje kjo kala. Është e vështirë të kuptohet nga ne  sepse historia jonë kthehet 200-300 vjet dhe jo mijëra vite. Të jesh këtu dhe të imagjinosh si dukej atëherë kalaja, si ishte qytetërimi i atëhershëm, komunikimi i tyre, planet, mbrojtjen që bënin bashkë. Ndonjëherë bëhet e pamundur edhe t`i imagjinosh të gjitha këto.

Rruga që të çon drejt kalasë e vështirë për makinat dhe këmbësorët

Rruga që të çon për në Kalanë e Skënderbeut prej disa kilometrash është e shtruar, por vjen një pikë që asfalti ndërpritet dhe udhëtimi bëhet i vështirë si për makinat, ashtu dhe për këmbësorët.

Instituti i Monumenteve të Kulturës premton zgjidhje për ndotjen

Në vendimin e qeverisë për shpalljen e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut u vendos dhe krijimi i një komisioni shtetëror për organizimin e veprimtarive  në kuadër të këtij viti.

Ky Komision kryesohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka anëtarë nga disa ministri e drejtori, mes tyre dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Institutit të Monumentve të Kultures, të cilës BOOM i mori një intervistë.

Arta Dollani thotë se ky është një nga Monumentet më të rëndësishme, është i kategorisë së parë, ndërtuar në shekullin e 15.

Dhe në kuadër të vitit të Skënderbeut, ka një projekt që kjo kala do të restaurohet.

Ajo shprehet e vetëdijshme për problemin e mbeturinave, duke e ndarë përgjegjësinë me pushtetin lokal.

Arta Dollani: Është një nga Monumentet më të rëndësishme në territorin shqiptar, për vlerat kulturore që ajo mbart dhe siidomos për vlerat historike.Është një kala e ndërtuar në shekullin e 15-të, pikërisht nga Skënderbeu, pikërisht në mënyrë që ai të kishte një dalje në det dhe të ishte dhe kjo një pjesë shumë e rëndësishme në fortifikimet, përgjatë bregdetit shqiptar.Është një nga kalatë e rrjetit të kalave të cilat do të restaurohen me rastin e vitit të Skënderbeut.

Do të fillojë që nga momenti i aksesit, më pas i restaurimit, pastrimit. Ajo zonë vuan nga prezenca e mbeturinave, të cilat ne në bashkëpunim me pushtetin lokal do të gjejmë mënyrën shumë shpejt që t`i eleminojmë nga kjo zonë, në mënyrë që gjithë territori, të rivitalizohet në njëfarë mënyre.

Patjetër që është itinerari i vizitueshmërisë, tabelat e informacionit, vendosja e pikave të pushimit përgjatë gjithë këtij itinerari. Pra e gjithë kjo zonë do të marrë një pamje krejt tjetër vitin e ardhshëm.Pjesa e pastrimit mbetet problematike sepse është një detyrë e pushtetit lokal, pjesa e mirëmbajtjes së Monumentit mbulohet nga stafi i drejtorisë rajonale, e cila bën mirëmbajtjen e saj periodike dhe jemi shumë të vetëdijshëm që ky është një problem që ende kërkon një zgjidhje të mirëorganizuar përsa i përket eleminimit në mënyrë përfundimtare të mbeturinave nga ky territor.     

/Oranews