Nard Ndoka: Perëndia e rrëzon këtë qeveri

Ditën përpara seancës plenare ku do të votohet për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, deputeti opozitar njëkohësisht kreu i Partisë Demokristiane është shprehur se vetëm Zoti mund të japë drejtësi dhe të rrëzojë qeverinë.  Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Ndoka ka thënë se kjo qeveri nuk mund të bjerë as me vota, as me protesta, as nga opozita dhe as nga drejtësia, por vetëm nga Perëndia. Ndoka mes të tjerash është shprehur se “Zoti vonon, por nuk harron”.

Statusi i Nard Ndokës:

Zoti do vendosë drejtësi në këtë vend! Unë kam besuar shumë kohët e fundit, se kjo qeveri nuk rrëzohet me vota, as me protesta, as nga opozita, as nga drejtësia, por vetem nga Perëndia! Kur Rama mendoi se kishte finalizuar çdo gjë: Fitore plebishitare, asfiksim të opozitës, gjymtim të LSI, privatizim të ekonomisë, skllavërim të drejtesisë, miklim të ndërkombëtarve; më shumë se kaq nuk kishte ëndërruar, as kur ishte nën efektin tymues! Të gjithë u frikësuam: populli heshti, opozita përpëlitej, drejtësia po kapitullonte, institucionet u ngrinë, presidenti noterizonte, ndërkombëtarët humbën, shoqeria civile flinte e kazanët zienin ‘supë falas’! Vend pa shprese, pa perspektivë, pa të ardhme, në prag kapitullimi dëshpërues; sa turp, sa keq, sa pa fat, uzorpim, heshtje, frike, pendesë reflektim dhe përsëri dëshpërim! Zoti vonon, por nuk harron! Italia, Katania, antimafia, prokuroria, opozita, kuvendi, Sajmiri, Rama, Balili, Zagani, të gjithë folën. Zoti i ndihmoftë! Zoti do flasë shqip! Besimi në Zot, nuk vdes kurrë!