Çmimi i energjisë diellore, Gjiknuri: Me ankand, diferenca me bursën do paguhet nga shteti

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me BERZH po përgatisin një set rregullash për zhvillimin e ankandeve mbi kapacitetet në energji diellore, duke synuar uljen e çmimit të energjisë të prodhuar nga parqet fotovoltaike. Lajmi është bërë me dije nga ministri, Damian Gjiknuri i cilit shtoi se kjo do të balancojë edhe kërkesën në rritje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, që nëse nuk menaxhohet siç duhet, mund të pasohet me mungesë të tregut.

“Së bashku me BERZH-in do të organizojmë një set rregullash për të organizuar ankande për kapacitetet në energjinë diellore. Kjo do të thotë që potenciali i çmimit të jetë shumë i mirë, pra realisht çmimet të fillojnë edhe të reduktohen. Ne sëbashku me ERE kemi nxjerr një çmim reference, një tarifë reference që është 100 euro për të inkurajuar, nisur nga teknologjitë e sotme, por kuptohet ankandet në vende të caktuara kanë sjellë edhe tarifa shumë më të mira. Kjo do një qasje shumë të balancuar, sepse gjërat që nuk kanë qasje të balancuar shpeshherë përfundojnë në inflacion të tillë që të bën të paqëndrueshme nga ana financiare. Në qoftë se nuk ka treg likuid që ta tërheq këtë energji, këto mund të kthehen në një problem shumë të madh”.

Gjiknuri tha se në rast se çmimi i vendosur në ankand do të jetë më i lartë se çmimi që do të diktohet nga bursa e energjisë, që pritet të ngrihet së shpejti, atëherë qeveria do të paguajë diferencën, duke i ofruar garanci investitorëve.

“Do të jetë tarifa që do të garantohet për 15 vjet për investitorin, por ne në perspektivën tonë, dhe besojë që brenda dy vitesh do të kemi edhe një treg të organizuar të energjisë elektrike, do të thotë që do të ketë një treg të shumicës të energjisë, do të ketë një bursë, e cila do të përcaktojë tregun, dhe nëse ky çmim do të jetë më i ulët sesa çmimi ose tarifa që investitorët kanë fituar gjatë procesit të ankandit, këta do të kompensohen. Pra do të thotë që ata do të kenë garanci për investimin e tyre prej 15 vjet”.

Deklaratat e Gjiknurit u bënë gjatë një tryeze të përbashkët me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku ndër të tjera u theksua nevoja për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi ynë është i varur 100% nga energjia ujore.