Klosi: Dosja “Habilaj” është publikuar qëllimisht, por ka një histori të ngatërruar (Video)

Gjykata e Katanias në dosjen prej më shumë se 416 faqesh që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, përmend edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për ish-drejtuesin e Shërbimit Informativ, Fatos Klosin, kjo dosje që është dorëzuar në gjykatë, nuk duhej të dilte në media.

Klosi thekson se publikimi i kësaj dosjeje në media, është disi e ngatërruar dhe të krijon bindjen se është nxjerrë qëllimisht.

Mua më bën të jem pak skeptik, pasi kjo dosje është nxjerrë qëllimisht nga pala italiane”,-tha ai.

Grupi i trafikantëve të arrestuar nga policia italiane për 3.5 tonë hashash ishte vënë prej kohësh nën pergjim. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë kanë tashmë një dosje prej 416 faqesh me fakte dhe biseda të përgjuara, ku ata përmendin emra dhe para dhe që është baza e vendimit të Gjykatës së Katanias për burgosjen e tyre.

Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.