Dje, parlament i kriminelëve, ndërsa sot parlament i estradës dhe humorit

Seancat e Kuvendit gjithnjë e më tepër po ngjajnë me spektaklet e estradave sesa më institucionin më të rëndësishëm të shtetit. Në këtë legjislaturë pritej nga mazhoranca dhe opozita që seancat të kishin seriozitet, alternativa dhe vendime të rëndësishme. Cilësia e debateve nga deputetët nuk është në dorë të Ruçit, por të deputetëve që janë zgjedhur në këtë legjislaturë. Ndërsa serioziteti nuk është çështje që imponohet me ligj, por vjen nga mënyra sesi deputetët dhe kryetarët e partive duan të bëjnë politikë. Në fund të fundit cilësia e deputetëve është vendosur nga vetë kryetarët e partive dhe jo nga populli. Populli voton partitë dhe emrat. Emrat i vendos kryetari i partisë.

Në të gjitha seancat e fundit, as qeveria dhe as PD , duket se nuk e shohin Kuvendin si përballje alternativash. Më shumë e shohin si e arena e batutave dhe sharjeve, për të treguar se kush është më i zgjuari dhe më i “miri i fshatit” në Kuvend. Mjafton të ndiqje seancën e ditës së premte për të kuptuar se Parlamenti, më shumë se vendi i ligjeve është kthyer në institucionin e humorit politik, batutave, ironisë, sharjeve, akuzave dhe baltës politike. Replikat me të spikatura ishin ato mes Edi Ramës dhe Lulzim Ballës, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, mes Nard Ndokës dhe Edi Ramës, mes Monika Kryemadhit dhe Edi Ramës.

Seanca nisi me vrullin e Edi Ramës, si politikani që fjalimet i ka modele të gatshme për talljen dhe denigrimin e kundërshtarit dhe në fund e mbyll me ftesën për bashkëpunim politik për reforma të mëdha. Ironia dhe sarkazma e Ramës nuk ka kursyer as aleatët e dikurshëm që tashmë i quan “motra” LSI. Por Monika Kryemadhi ia ktheu me tallje punën e “motrës”. I tha se “ti je motra e madhe e qeverisë me 13 motra”.

Spektakli politik vijoi me reagimin e Lulzim Bashës, ku kryefjala ishin bandat, krimi, droga dhe vjedhja e zgjedhjeve. Të gjitha ato që thotë Basha, në një situatë tjetër, do kishin tronditur Kuvendin dhe Qeverinë. Por nga që i thotë një parti që deri para një muaji ishte në marrëveshje dhe qeveri teknike me Edi Ramën, ndaj kur akuzon Basha të parët që nuk e besojnë duket se janë demokratët. Në seancën e djeshme pati dhe momente tensioni, siç ishte rasti kur Basha u drejtua të largonte nga foltorja Edi Ramën. U desh ndërhyrja e gardës për të shmangur ndonjë skenar përplasje. Por në fund Rama u tha rojeve të gardës të mos shqetësohen se “Basha është çun i mirë”, ndërsa vet Basha iku nga podiumi duke qeshur. Ngjanin njëlloj si aktorët që dalin nga skena të kënaqur me shfaqjen që dhanë. Mjafton që biletat u shitën për të parë shfaqjen!

Nuk mungoi “dueli” mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ish-kryeministri dje foli më pak, duke ia lënë gjithë foltoren Lulzim Bashës. Por në ato pak deklarata që bëri, Berisha nuk mund të mos i kthente përgjigje Edi Ramës për fyerjen e ditës së enjte. Nëse Edi Rama e shau doktorin “nëpër dhëmbë”, vet Berisha preferoi ta shante me zë të lartë në frëngjisht. Kështu të dy shpëtuan nga ndëshkimi i Gramoz Ruçit dhe serinë e sharjeve mund ta vazhdojnë në seancat e radhës.

Seria e humorit vazhdoi me Pandeli Majkon, i cili pranoi se kishte refuzuar disa “kafe” me kriminelë dhe ndaj PS nuk fitoi me shumë vota në Tiranë. Pra pranoi indirekt se kolegët e tjerë kanë pranuar kafen e krimit. Ndërsa Grida Duma duke dashur të  tregonte erudicionin si pedagoge ngatërroi vendlindjen e Nikolo Makiavelit, duke e zhvendosur nga Firence në Lindjen e Largët.

Në seancë nuk munguan fyerjet jashtë mikrofonave dhe fjalime patetike të politikanëve që duket sikur sot po njihen me problemet e Shqipërisë. Nuk munguan edhe deputetë që në foltore i kishin kushtuar më shumë rëndësi modeli të flokëve dhe kostumit, sesa leximit të tekstit që ua ka shkruar dikush tjetër. Podiumin e zunë batutat dhe humori. Ndërkohë që qeveria iu shmanget mjeshtërisht halleve të popullit.

Nëse parlamenti i kaluar ishte parlamenti i kriminelëve, ky i sotmi është kthyer në parlament i estradës.

Qamil Xhani

Shkrimi gjatë seancës parlamentare, datë 13 tetor

Parlamenti në debat-maratonë në seancë, ku replikat po njohin nota të larta debati dhe sarkazme ndaj njeri tjetrit. Por replikat me të spikatura kanë qenë mes Edi Ramës dhe Lulzim Ballës, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, mes Nard Ndokës dhe Edi Ramës, mes Monika Kryemadhit dhe Edi Ramës.

Që në nisje të seancës së sotme parlamentare ishte Edi Rama që e hapi lojën e debatit me PD dhe veçanërisht me Bashën dhe “motren” LSI. Nuk vonoi dhe replikat mes Ramës dhe Bashës njohen edhe momente tensioni, aqsa në një moment garda rrethoi kryeministrin kur kryetari i PD-së u sul drejt foltores se Kuvendit, ndërkohë që Rama po fliste.

Basha sapo mori fjalën i kërkoi llogari kryeministrit se pse nuk foli as një fjalë për ngjarjen e Elbasanit, ku dy autorët kryesorë të ngjarjes janë larguar nga Shqipëria dhe ndodhen në Hollandë. Po kështu Basha tha se Rama ka fshehur kërkesën e Interpolit për arrestimin e trafikantit Durim Keci.

“U desh që të shkosh tek Gentiloni që të marrësh thuprën për krimin e organizuar. Ta ka përmendur edhe ambasadori amerikan, por ti nuk ke asnjë fjalë se je pjesë e krimit të organizuar”, tha Basha. Ai nga foltorja e Kuvendit ka lëshuar akuza të forta kundrejt qeverisë për drogën dhe krimin.

Duke i kujtuar deklaratat e ambasadorin Lu, për klanet dhe familjet mafioze, ai i tha Ramës se ndërkombëtarët e kanë vënë tashmë në rreth të kuq.

Dua të paralajmëroj se krimi dhe droga janë kthyer në adrenalinën e Shqipërisë. Shqipëria prodhon dhe konsumon drogë dhe krim e nënproduketet e krimit. Paratë e krimit po depërtojnë kudo, sektori i ndërtimit po bie në dorë të krimit, turizmi po bie në dorë të krimit, të dhëna tronditëse do publikohen në javët e ardhshme nga parnerët ndërkombëtarë për këto cështje. Sektori bankar në industrinë e pastrimit të parave të drogës me mbështetje të drejtpërdrejtë nga ty Edi Rama. 20 familje kriminale dhe4 klane mafioze, kam një vërejtje për ambasadorin Lu se e hapi gojën pas zgjedhjeve, por më mirë vonë se sa kurrë. Ti nuk je zgjidhja, por t’i je problemi. Partnerët i kanë dëgjuar kritikat e mija, flisnin për fara, zogj e peshq, por vetëm drogën se shikonin. Komuniteti ndërkombëtar të ka në rreth të kuq” – tha Basha.

Por nuk ka heshtur sot edhe ish-kryeministri Berisha. Si rrallëherë ai ka replikuar shumë pak në foltoren e parlamentit.  Berisha i është përgjigjur sharjes së djeshme të Ramës, kur ish-kryeministri ndodhej në foltore.

Berisha ka pëlqyer t’i përgjigjet vetëm me një shprehje në frëngjisht Ramës: “Ti je një h*le në një copë mëndafshi”.

Më pas prapë ka dalë Rama me doza ironie ndaj PD dhe Bashës.  Mënjëherë ka dalë kryetari i PD-së Lulzim Basha  duke ngritur si problem të madh, gjendjen shëndetësore të Kryeministrit Edi Rama sot në Kuvend si nën efektin e drogës. Madje, ai ka sugjeruar që shteti ka disa procedura për këto raste. “Njëherë më kërcënon, njëherë më thua i dashur”- tha Basha, i çekuilibruar totalisht!

REPLIKAT RAMA – BASHA

RAMA: Ishte Basha që tha: “peshkatari është peshku më i madh. Këto janë çështje që unë ftoj deputetin Ndoka t’i zgjidhë në gjyq për të drejtën e autorit. Sa për përgjegjësinë, ai bëri shumë herë pyetjen: Çfarë përgjegjësie mund të mbaj unë?! Në fakt, çfarë përgjegjësie mund të mbajë kryetari i PD që shkon nga humbja në humbje? Se Saliu përgjegjësinë e mban, kurse ky pyet çfarë përgjegjësie të mbaj unë?!

Nuk e kupton se është përgjegjësi kur thotë arresto këtë e atë, kur duhet të nxjerrë provat. Ne kemi taksiratin të rrimë këtu e të debatojmë me ju. Më the se je me rreth të kuq. Mos u mor me rrethin e kuq, por shiko vizën e kuqe që ta vunë shqiptarët se aq më poshtë po e çon opozitën dhe më të trashë do ta kesh vizën kur të vijnë zgjedhjet e tjera. Jeni një parti që po shkon për …pambuk.” theksoi Rama.

BASHA: Je i çekuilibruar totalisht, njëhërë më kërcënon, pastaj më thua i dashur!!! Çekuilibrimi yt është çështje e republikës. Në vende normale kemi procedura të tilla mjekësore. Dhe një shofer autobusi nuk mund të flasë në këtë gjendej të çekuilibruar si po flet ti ëktu. Ta shndërrosh debatin për krimin në një cirk?!

Nuk ka përtuar prapë kryeministri Rama dhe ka marrë mikronin. Edi Rama mori një shprehje të Lulzim Bashës si shembull për ta degraduar fjalimin e tij në parlament në një tallje dhe ironi. “Peshkatari është peshku më i madh” tha Lulzim Basha ndërsa fliste në parlament. Duke e zhveshur nga konteksti shprehjen, kryeministrit iu kujtua Nard Ndoka.

Ja çfarë tha Rama për Nard Ndokën:

Peshkatari është peshku më i madh. Këto janë çështje që unë ftoj deputetin Ndoka t’i zgjidhë në gjyq për të drejtën e autorit. Sa për përgjegjësinë, ai bëri shumë herë pyetjen: Çfarë përgjegjësie mund të mbaj unë?! Në fakt, çfarë përgjegjësie mund të mbajë kryetari i PD që shkon nga humbja në humbje? Se Saliu përgjegjësinë e mban, kurse ky pyet çfarë përgjegjësie të mbaj unë?!

Përgjigja e Nard Ndokës:

“Sapo ma konfirmuan me sms nga një mjek, se unë nuk i besoj 100 për qind doktor Berishës. Kryeministri është nën efektin e kokainës. Jo vetëm kruhet, por edhe nxihet. jepini ujë se është e këshillueshme. Merrni shishet e ministrave dhe pini ju, por të atyre që nuk janë përdorues kokaine. Pini ujë dhe ulni masën e kokainës në trup”.

Në fund të kësaj pjese debat, replika, sherr, ironi e sarkazëm e mori fjalën kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo iu drejtua që në krye të fjalës kryeministrit: E dashur motër e madhe (Edi)! Ti je motër mes 13 motrave (ministrave) në qeveri. Në këtë moment shpërthyen të qeshura në parlament. Siç dihet dje, me ironi kryeministri Rama tha se LSI është motra e përbashkët e PS dhe PD. Sot Kryemadhi e ironizoi Ramën, duke e quajtur “motër” mes 13 motrave të tjera në qeveri.

Ajo tha ndër të tjera se  Po e nis si motra, meqë motra e madhe ja ku është dhe ka 13 motra të tjera, dhe këtë e them si në raportin politik dhe në raportin personal.

Krimi e ka kapur dhe nuk e lëshon në asnjë sekondë. Ky njeri është peng, dhe do të mbajë peng ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Pse ka frikë ky zotëria nga fotot? Po të jetë burrë thotë: po unë jam aty, nuk e dija që ishte në kërkim, kam dalë në fotografi, kërkoj falje. Po e ka ditur shumë mirë.

Në fakt me erdhi keq, kur e pashë duke qarë që nxorri lotët, po ky është një aktor i madh. Ky do t’ju marri lotët edhe nënave që bandat ju kanë vrarë fëmijët. Ky kërkon ta kthejë Shqipërinë në një teatër eksperimental, ashtu siç janë këto projektet eksperiementale.

Dje pamë se si oligarkët bënin protestë për TVSH-në, mos u çudisni shumë shpejt do të kemi bandat që do bëjnë protestë në shesh dhe do thonë poshtë shqiptarët, të largojmë shqiptarët. Mos u çudisni, shumë shpejt.

Thotë pse ne paskemi hallin e krimit dhe flasim vetëm për krimin. Ta fillojmë me shëndetësinë? Të fillojmë me koncensionet? Kemi dhe Milvën këtu, e di shumë mirë ajo si e ka bërë dhe çfarë ka bërë. Do të shikojmë dhe këto të koncensioneve të shëndetësisë dhe do dalin në protestë dhe ato dhe do thonë: protestë që të vijnë shqiptarët të bëjnë check-upin! Këtë kemi ne, Shqipëri eksperimentale. Do të flasim për ekonominë? Të flasim për TVSH-në? Të flasim për taksat? Të flasim për rritjen e çmimeve? Apo të flasim edhe për sigurimin e detyruar të pronës, sepse vëllai i tij ndan apo jeton në shtëpinë e njërit që ka pronë kompani sigurimesh. Pra vazhdojmë dhe jemi në funksion të oligarkëve. Doni të flasim për arsimin, ku ta kapim ku ta lëmë. Një tmerr, të flasim për policinë, për ça të flasim.

Kemi hallin e tullumbave, ne fakt tullumbat janë të mira, nuk janë të këqija, ëmbëlsirë janë, por kam hallin për një tullumb tjetër i cili është shumë i rrezikshëm, është tullumbi i krimit i cili po hyri nuk del më sepse të mban peng dhe nuk të lëshon më kurrë. I përdori më 25 qershor si bodyguard, si ushtar, si miq ,si shok, si shok tavolinash dhe sot të kërkojnë haraç. Dhe haraçi i tyre është përgjakja nëpër rrugët e Shqipërisë.

Kur përmende pronësinë e fajit që ti e thua me fjalë të pahijshme si ato që përdor çdo ditë, më duket sikur flet Frojdi brenda vetes tënde, e përmende dy herë gjatë fjalimit tënd, që faji është, nuk e përmend se kam hall se më përjashton Gramozi. Qetësohu se e njohin të gjithë humbjen e qetësisë tënde kur të dridhet ty karrigia. Qetësohu sepse kur humb qetësinë Frojdi brenda vetes tënde të thotë gjëra të tmerrshme dhe shqiptarët do të mësojnë atë se çfarë ti je vërtet, atë që bashkëpunëtorët e tu e dinë më mirë se kushdo tjetër, çmendurinë tënde- përfundoi Kryemadhi.

Ironia ishte klas, ndaj mënjëherë nxori kryeministrin në replikë, ku rreshtoi një mori detyra pune në shtet, që LSI ka emëruar njerëz jashtë profesionit. Nuk ka vonuar dhe ka dalë Monika Kryemadhi në foltoren e Kuvendit për ti dhënë replikën e fundit.

-Ku ke shkollë ti o i pashkollë?! Ku lexon libra ti o shkollëpaku?!- ka replikuar Kryemadhi. Me pas kryeministri thau edhe pesë shishe uji nga zjarri i asaj që akuzoi Nard Ndoka.

Kjo foto tregon se si ra në qetësi pasdite salla e Kuvendit, ku nuk ka asnjë ministër në sallën e tij