Pakicat kombëtare/ PS, Hysi: Vlerë e shtuar e shoqërisë

Ka nisur me debate senaca plenare e kësaj të enjteje, ku po diskutohet projektligji për pakicat kombëtare. Ashtu si dhe javën e kaluar, në fillim të seancës u përplas kreu i PD, Lulzim Basha, me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për pr/ligjin për pakciat kombëtare.

Ndërkohë, nga ana tjetër, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, e ka vlerësuar pozitivisht nismën e qeverisë shqiptare për të miratuar një projektligj për pakicat kombëtare.

Nga foltorja, nenkryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria ka ratifikuar Konventën për pakicat kombëtare dhe se këto të fundit janë një vlerë e shtuar e shoqërisë.

“Shqipëria ka ratifikuar konventën për pakicat kombëtare. Ato anë një vlerë e shtuar e shoqërisë. E vlerësoj pozitivisht nismën e qeverisë për miratimin e një pr/ligji. Ne pasurojmë shoqërinë shqiptare me vullnetin për të mbrojtur pakicat. Hartimi dhe konsultimi i këtij ligji para se të vijë në kuvend është model. Ideja për të pasur një pr.ligj ka qenë shumë e vjetër, që në vitin 2006. Ky projekt u mundësua në vitin 2014 dhe u deshën tre vite punë për të pasur një projekt të mirë. Në Komisionin e Ligjeve ka pasur diskutim dhe të gjithë deputetët e kanë parë këtë ligj me vëmendje dhe duke e vlerësuar atë si një ligj ku nuk mund të bëhet politikë. Pakicat duhen vlerësuar si një vlerë në shoqërinë shqiptare dhe jo si vlerë politike. Ne arritëm të përmirësojmë draftin e paraqitur në mbrojtje të pakicave dhe kurrsesi për të cenuar përkatësinë e tyre”, tha Hysi.