Lushnje/Mesazhi i vëllait të viktimës: Të më vrasin edhe mua, ose…

Tragjedia e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy të rinj, dhe u plagos dy të tjerë, ka tronditur jo vetëm qytetin e Lushnjës, por mbarë opinionin.

Dhimbja është shumë e madhe për familjarët, miqtë e të afërmit, e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës. Vëllai i Zamir Latifit, i cili në “Facebook” mban emrin Mario Corana, përmes një mesazhi rrëqethës shpreh dhimbjen për gjëmën që u ndodhi.

“Shpirti im si kemi qeshur para tre ditësh, dhe me the që kështu dua të shoh gjithmonë të qeshur, por sot mi mbylle sytë me lot dhe kjo zemra ime nuk duron dot. Ti ishe dhe je jeta ime shpirti i vëllait. Të dua më shumë se gjithçka. Këtë këngë e dëgjonim bashkë dhe do vazhdojmë ta dëgjojmë bashkë vëllai im”, shkruan Mario.

Pas këtij mesazhi prekës, miqtë i kanë shkruar atij në rrjetin social. Por Mario duke iu përgjigjur atyre, në një koment lexohet të shkruaj: “O do më vrasin dhe mua, o do t’i vras unë ata që më vranë shpirtin tim, zemrën time”.