Presidenti Meta, vizitë në Prishtinë: Kosova i ka plotësuar kushtet për vizat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili nisi sot vizitën zyrtare dy ditore në Prishtinë. Pas ceremonisë ushtarake të mirëseardhjes të zhvilluar në sheshin “Ibrahim Rugova” nga Forcat e Sigurisë së Kosovë, dy presidentët Thaçi dhe Meta zhvilluan një takim mes tyre.

Pas takimit dypalësh mes delegacioneve, Meta dhe Thaçi mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i shtetit shqiptar dhe ai i Kosovës në një konferencë për mediat theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve.

Presidenti Meta theksoi se mes dy vendeve duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe të hiqen sa më shumë pengesat doganore dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Meta e vuri theksin te liberalizimi i vizave për Kosovën. Ai tha se është vendim i padrejtë për të kushtëzuar çështjen e demarkacionit ne liberalizimin e vizave.

Marrëdhëniet me Malin e Zi janë të shkëlqyera, por me mençuri të zgjidhet çështja e demarkacionit. BE nuk duhet të harrojë se politika e zgjerimit ka qenë katalizatori i proceseve transformuese. Kjo politikë e zgjerimit duhet të vazhdojë. Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave”, tha Meta.

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit.

“Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës. Duhet të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nga homologu i tij Ilir Meta që kosovarëve tu njihet shtetësia shqiptare, pasi vetëm në këtë mënyrë populli i Kosovës mund ta ketë mundësinë për të lëvizur pa viza.

Thaçi tha se kanë biseduar me presidentin shqiptar që në përputhje me kushtetutën e të dy shteteve tu jepet shtetësia shqiptare qytetarëve të Kosovës. Shtoi se kjo është mundësia e vetme aktuale që kosovarët të kenë lëvizje të lirë.  Por presidenti shqiptar Ilir Meta duke e komentuar kërkesën e Thaçit, shtoi se kjo nuk është zgjidha e duhur.

“Mendoj që kjo nuk është zgjidhja për qytetaret e Kosovës, pasi plotësimi i kriterit për vizat është shume i domosdoshëm për te ardhmen ne integrim ne BE”, u shpreh presidenti Meta.

Presidenti Meta do të vijojë axhendën me takimin me kryeministrin Ramush Haradinaj, me Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm Behxhet Pacolli.

Gjatë vizitës Meta do të takohet edhe me krerët e partive parlamentare, si dhe do të bëjë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz-Skënderaj.

DEKLARATË E PËRBASHKËT E PRESIDENTËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS

MBI MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE E TË PARTNERITETIT STRATEGJIK 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës,

Të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane,

Duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe në rajonin ku bëjnë pjesë,

Të bindur në përfaqësimin më të mirë të interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet evropiane dhe euro-atlantike,

Me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e “dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë, dhe zhvillimit,

 Ranë dakord të:

 Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane;

Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë;

Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen;

Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon”;

Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese;

Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida;

Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:

  1. Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;
  2. Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO;
  3. Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndësjelltë, çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi;
  4. Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për të gjithë rajonin.

Prishtinë, më 11 tetor 2017.

           Presidenti                                                            Presidenti

i Republikës së Shqipërisë                                    i Republikës së Kosovës

             Ilir Meta                                                            Hashim Thaçi

FOTO/CEREMONIA ZYRTARE E PRITJES SË PRESIDENTIT META NË PRISHTINË

 

Presidenti Meta nderohet në Kosovë me Dekoratën “Urdhri i Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u nderua gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në selinë e Presidencës së Kosovës me Dekoratën e lartë “Urdhri i Pavarësisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.”

Presidenti Thaçi vlerësoi kontributin personal të Presidentit Meta, angazhimin prej afro tre dekadash për Kosovën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës dhe të përmbushjes së aspiratës për pavarësi gjithashtu edhe për njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Pasi mori në dorëzim dekoratën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë Meta në fjalën e Tij vuri në dukje se vizita në Kosovë si President i Republikës është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe emocion i rrallë.

”Kjo dekoratë është një surprizë e veçantë, por e marr si një vlerësim për gjithçka që qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të zotohem këtu për angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë, rritjes së njohjeve të saj ndërkombëtare dhe realizimit të aspiratës së perspektivës evropiane, tërësisht të prekshme të saj dhe të gjithë rajonit, sepse perspektiva evropiane e Kosovës është tepër e rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë”,-u shpreh Presidenti Meta.