Ambasadorët duhet të flasin edhe për Ramën dhe Bashën

Nga Ferdinand XHAFERRI

Akoma nuk po zbehet jehona e një videoje të publikuar ditë më parë, ku në Elbasan dukeshin policë e shefa policie, të veshur e armatosur më së miri, që hezitonin të shkelnin në territoret e krimit. Skenat dëshmonin se përballja me krimin e organizuar nuk është çështje teknikash policie, por punë përzierje qeverie. Policët u gjunjëzuan përballë një grupi kriminal jo se nuk dinin si të vepronin në emër të shtetit, por sepse dinin lidhjet e krimit me pushtetin.

Kohë më parë kemi parë policë arrogantë që fusnin në burg ata të vobektë që nuk paguanin faturat e shtetin. Ama ditë më parë pamë policë të poshtëruar që nuk guxonin të futeshin në zonat e krimit të lidhur me pushtetin. Kjo e bën edhe më komike retorikën e Ramës për “bërjen e shtetit”. Nga Elbasani, të gjithë pamë se në shtetin e Ramës ligji nuk është i barabartë për të gjithë.

Kjo ngjarje dëshmoi gjithashtu, se e shkuara u ka mësuar policëve se kriminelët e lidhur me politikën janë jashtë juridiksionit të ligjit. Pra, në Elbasan nuk kapitulloi vetëm policia. Ajo që pamë na konfirmoi se ka kapitulluar edhe qeveria.

Incidenti në fjalë nxiti ambasadorët e Perëndimit të lëshojnë deklarata bombë që shprehin një situatë emergjence në raport me krimin. Situata mund të jetë emergjente, por asgjë nuk ka ardhur në mënyrë emergjente. E thënë qartë, ky është thjesht produkti i krijuar nga kriminalizimi i Kuvendit dhe kanabizimi i vendit.

Mund të jetë vallë kryeministri i papërfshirë? Kur media dhe opozita paraqiste për ligjvënësit rilindës certifikata inkriminimi, Rama i përgjigjej me deklarata ironizimi. Kur opozita akuzonte se edhe avionët po përdoren për trafikimin, Rama përgjigjej se “mushkonjat i bëni avionë se doni të pengoni integrimin”. Hezitimi me të cilin u larguan të inkriminuarit nga Kuvendi dhe vonesat për t’u marrë me kanabizimin e vendit na vërtetuan se këto ishin veprime të diktuara nga Perëndimi e jo nga reflektimi.

Në të vërtetë, kriminalizimi i Kuvendit edhe kanabizimi i vendit janë elementë të konkretizimit të filozofisë së Ramës për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Nga këtu merr kuptim domosdoshmëria që ambasadorët e Perëndimit të flasin edhe me Ramën edhe për Ramën për këtë problematikë madhore të Shqipërisë.

Është fakt i gjithëpranuar se vendi mbetet në rrezik domethënës sepse është kthyer në qendër të krimit të organizuar, duke përfshirë trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionin. Teksa ambasadorët në tetor ngritën zërin sepse demokracia e brishtë shqiptare po rrezikohet nga krimi, opozita në shkurt ngriti çadrën sepse konkurrimi demokratik po vritej nga krimi. Opozita u detyrua të futej në zgjedhje edhe si pasojë e angazhimit të ambasadorëve të Perëndimit.

Është vështirë të besohet se në një vend ku në tetor krimi është rrezik domethënës, në qershor të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqetësimi madhor me zgjedhjet lidhet me faktin se rezultati nuk ishte çështje cilësie programi apo kandidati. Edhe në këto zgjedhje, Rama bëri atë që di të bëjë më mirë, të ndërtojë imazhin demokratik të tyre.

Zgjedhjet u shitën si të lira se nuk kemi më policë dhe të fortë që kërcënojnë te qendrat e votimit. E thënë më troç, zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më punë kërbaçi jashtë qendrave të votimit, por thjesht punë kulaçi brenda shtëpive të banimit. Pra, përfshirja e parave të krimit ndikoi në mënyrë domethënëse që Basha të merrte një humbje edhe më të rëndë dhe Rama të merrte një fitore edhe më të plotë. Këtu nuk synojmë të lëmë në hije defektet e Bashës, por thjesht të theksojmë përmasën e pamerituar të humbjes së tij për shkak të përfshirjes së krimit.

Vendi ndodhet seriozisht i rrezikuar nga krimi, dhe është e qartë se suksesi nuk mund të vijë pa angazhimin e Perëndimit. Gjithsesi, këto ditë po shohim presion në rritje ndaj qeverisë, duke dhënë shpresa se mund të ndryshohet qasja e saj në raport me krimin.