A është zgjidhja e krizës koreane në dorën e Kinës?

Nga Hajdar Muneka*

U bë një farë kohe që e gjithë bota i ka drejtuar sytë nga zhvillimet në marrëdhëniet midis SHBA dhe Koresë së Veriut. Situata, e ngarkuar deri edhe në etiketime fyese personale, është rënduar e komplikuar aq shumë sa një pjesë e madhe e njerëzve të globit është realisht e shqetësuar se mos një ditë dikush mund të shtypë ndonjë buton që të ndërpresë jetën në gjithë planetin. Ankthi është deri diku i shpjegueshëm, pasi të dy palët kanë në duart e tyre armë bërthamore, të mjaftueshme për të shkatërruar gjithë botën. Natyrisht që forcat janë krejt të pabarabarta, por kjo do të ishte e vlefshme për një luftë konvencionale. Lufta bërthamore njeh vetë fuqinë e atomit. Një zyrtar i lartë kinez e analizoi situatën si dy trena të shpejtësisë së lartë që po ecin në të njëjtën shinë, përballë njëri tjetrit. Nëse nuk shfaqet një puntor i hekurudhës për të tërhequr levën e devijimit të shinave, përplasja midis tyre do të jetë fatale. Vetëm kjo do ta zgjidhte situatën, pasi semafori i kuq ka kohë që nuk punon.

Një pjesë e njerëzve që thellohen më tej në analizën e kësaj situate mendojnë se akoma ka shpresë, pasi punëtori i hekurudhës është aty. Dora që mund të evitojë përplasjen fatale të trenave do të shfaqet sapo të dy palët kryesore në konflikt do t’i kenë mbaruar të gjitha argumentet apo edhe sharjet ndaj njëra-tjetrës. Kjo është dora e Kinës. Edhe unë bëj pjesë në radhët e njerzve optimistë dhe mendojnë se, si gjithnjë më parë, Kina do të dijë kur të shfaqet dhe si ta menaxhojë situatën. Madje kësaj radhe në mënyrën më spektakolare të mundshme.

Unë nuk besoj se Kina dhe Koreja e Veriut kanë marrëdhënie vëllazërore, siç mund të mendohet nga shumë njerëz. Ka kohë që Kina e ka mbyllur kapitullin e këtij termi. Ato janë dy vende kufitare që kanë lidhje tradicionale, historikisht të mira. Popujt e tyre nuk kanë luftuar ndonjëherë midis tyre. Ato ndajnë jo vetëm kufijtë, por edhe kultura e zakone të përafërta. Me hapjen ekonomike të Kinës, të dy vendet ndoqën shtigje të ndryshme zhvillimi. Njëra në kokëfortësinë e saj, tjetra drejt afrimit me botën.

Por u bënë disa dekada që Korea e Veriut përfiton në mënyrën më të mirë të mundshme nga gjeneroziteti kinez. Që nga krijimi i shtetit komunist koreanoverior Kina është i vetmi vend që i është gjendur atij në ditë të mira e të vështira. Madje,në vitin 1950, krejt për hatër të tij, për të ruajtur Korenë e Veriut nga kolapsi, ka hyrë në një luftë tri vjeçare krejt të pabarabartë me vendin më të fuqishëm të kohës, SHBA. Këtë luftë, historikisht e para dhe e fundit midis këtyre dy fuqive të mëdha, Kina e ka paguar me një kosto mjaft të lartë financiare e njerëzore. Në vitet që kanë pasuar, deri në ditët tona, Kina mbetet partneri më i madh ekonomik e tregtar i Koresë së Veriut. Sa herë që hambarët e drithit të kësaj të fundit boshatisen, dhe kjo nuk ndodh rrallë, udhëheqësit e lartë të saj zbresin në aeroportin e Pekinit dhe nuk largohen prej andej pa siguruar ngarkesën e radhës. Meqë udhëheqja e Phenianit ka zgjedhur rrugën e vetizolimit total, pothuajse të gjithë volumin e eksportit e kryen nëpërmjet Kinës. Kjo e fundit plotëson pjesën më të madhe të nevojave të Koresë së Veriut edhe për lëndë djegëse.

Ne, shqiptarët, e kemi provuar në kurrizin tonë se sa më i izoluar dhe i varfër të jetë një vend, aq më shumë i kërcënuar dhe i vetflijuar do të ndjehet. Ndaje dhe, në emër të vetëmbrojtjes, gjëja që do t’i dhimbset më pak janë shpenzimet në fushën e armatimit. A nuk kishim dikur armët më moderne të kohës?Kjo ka ndodhur edhe me Korenë e Veriut, e cila, përveç shpenzimeve të brendshme, falë mbështetjes financiare apo edhe teknologjike të ndonjë vendi posedues të armëve bërthamore, e ka zhvilluar këtë lloj armatimi. Udhëheqësi i saj Kim Jong Un, i treti nga dinastia Kim, kërcënon pandërprerë se nga rrezja e veprimit e raketave të tij nuk përjashtohen jo vetëm Japonia e Korea e Jugut, por edhe vetë SHBA. Deri tani ka bërë dhjetra prova, të tjera pritet të kryhen në të ardhmen. Retorika e fjalëve që shoqëron këto prova sa vjen e ashpërsohet.

“Një mik të mirë mund ta zgjedhësh, por jo fqinjin tënd”, thotë një fjalë e urtë. Është krejt e logjikshme që Kina të ndjehet e lodhur nga xhonglimet e Kim Jong Un. Përveç të tjerave, një vatër kaq e nxehtë në pragun e saj të shtëpisë është një kërcenim serioz edhe për të. Aktualisht ajo është fuqia e dytë ekonomike botërore dhe me ritme të mëdha zhvillimi. Planet e saj për të ardhmen janë edhe më ambicioze. Iniciativa kineze “Një brez, një rrugë” përfshin projekte gjigante me shtrirje në më shumë se 60 vende të globit. Motoja e kësaj nisme është “paqe e prosperitet, ku të gjithë të jenë të fituar”. Edhe sikur vetë të mos prekej direkt nga flakët e një konflikti me armë, Pekini nuk kishte si të ndjehej i qetë nëse Koreja e Jugut apo Japonia do të ndizeshin. Pasojat e mëtejshme nuk mund të përllogariten.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse dikur Kina pranoi të përfshihej në tryezën gjashtë palëshe të bisedimeve për çështjen e Koresë. Nëse reagimi kinez për shuarjen e konfliktit të fundit midis Koresë së Veriut e SHBA nuk ka qenë i menjëhershëm, kjo nuk ka ndodhur për shkak se Pekini mund të ketë qenë i luhatur në qëndrimin ndaj Phenianit. Koha kur atij i duhej ta përdorte qëndrimin refraktar të udhëheqësve koreanoveriorë si kundëbalancë ndaj pranisë amerikane në rajonin e Azi Paqësorit tashmë është e tejkaluar. Pozicionimi i tij pro sanksioneve ndaj Koresë së Veriut i këtyre diteve tregon se edhe ai, si pothuajse të gjitha vendet e tjera të botës, po ndjehet gjithnjë e më i shqetësuar për vrullin luftënxitës që ka mbërthyer fqinjin verilindor.

Askush nuk e vë në dyshim se Kina ka në dorë të sjellë një asfiksim të menjëhershëm të Koresë së Veriut. Mjafton të realizojë në masën një qind për qind sanksionet ekonomike e tregtare si dhe të ndërpresë çdo lloj ndihme e asistence teknike ndaj saj. Por natyrisht që kinezët çdo hap që hedhin në këtë drejtim e peshojnë shumë. Çdo shtrëngim ose lirim i menjëhershëm i lakut do të ishte me pasoja ndoshta të pa imagjinueshme për tëpor edhe të tjerët. Bisha e egërsuar duhet trajtuar me kujdes. Ndërsa presidenti amerikan Trump deklaron çdo ditë se “ka mbetur vetëm një rrugë, pasi të gjitha mënyrat e tjera të komunikimit me udhëheqësin korean janë tejkaluar”, duke patur parasysh rrugën e luftës, udhëheqësit kinezë mendojnë se gjithnjë ka hapësira për të vazhduar komunikimin. Ata e njohin mirë mentalitetin korean edhe pse deri tani, ndryshe nga paraardhësit e familjes së tij, Kim Jong Un nuk ka preferuar të takojë e të bisedojë me udhëheqjen e lartë kineze.

Nga reagimet e fundit kineze, besoj se, kur ta gjykojë të arsyeshme, Kina do ta luajë siç duhet rolin e punëtorit të hekurudhës, shinat do të ndërrohen, trenat nuk do të përplasen dhe bota do të shpëtojë nga kjo e keqe e madhe. Kjo do të ndodhë jo për faktin se koreanoveriorët janë vasalë të bindur të Pekinit, por se ata i frikësohen atij më tepër se edhe vetë amerikanëve. Se Kina në atë rajon e për koreanët është më superiore se SHBA. Edhe ajo ka armë bërthamore, njëlloj si Amerika. Por, më shumë se kaq, ajo ka në dorë naftën e qymyrin e Koresë, eksportin e tekstileve të Koresë, një pjesë të bukës së përditshme të saj. Nëse Kim Jong Un mburret se ka gjithë popullin ushtar, i cili realisht mund të mos i dhimbset për të ruajtur lëkurën e tij, Kina dikur i ka dhënë Koresë së Veriut 500 mijë dëshmorë, përfshirë edhe djalin e udhëheqësit të saj më të lartë të asaj kohe, Mao Ce Dunit. Sot Kim Jong Un po përjeton ditët e agonisë së tij më të madhe. Atë, më shumë se çdo gjë tjetër, e tremb ndryshimi i klimës në Pekin, edhe pse nuk dëshiron ta japë veten.

Megalomania është tipar i të gjithë diktatorëve. Ashtu sikurse durimi është tipar i kinezëve.

*Ish-ambasador në Kinë