Shtyhet sërish gjyqi i licencës audiovizive

Për të disatën herë, seanca gjyqësore, me objekt kundërshtimin e vendimit të prokurorisë të rrethit gjyqësor Tiranë, mbi pushimin e kallëzimit penal të bërë ndaj disa anëtarëve të AMA, për dhënien e licencës kombëtare shoqërisë ADTN-shpk, nuk është zhvilluar.

Në seancën e lajmëruar për t’u zhvilluar këtë të martë, para togave të zeza nuk është paraqitur në kohë as kreu i AMA Gentian Sala, por dhe as prokurori i çështjes.

Sala ka mbërritur në gjykatë me vonesë, në kohën kur çështja ishte shtyrë nga gjyqtari për shkak të mungesës së palëve, kur prezent ishin vetëm përfaqësues të shoqërisë Ora sha.

Teksa ishte duke lënë godinën e gjykatës së Tiranës dhoma penale, i pyetur për këtë mungesë, Sala ka zgjedhur të mos flasë dhe të largohet.

Por Sala dhe në dy seancat e mëparshme nuk ka qenë prezent, teksa prej prokurorisë është regjistruar mungesa në dy prej tre seancave.

Madje organi i akuzës nuk ka dhënë as arsye mbi këtë mungesë, duke lënë shumë për të dëshiruar dhe për profesionalizmin e tyre madje duke shënuar dhe zvarritjen e radhës të çështje; zvarritje që janë bërë shkas dhe për uljen e besueshmërisë së shqiptarëve te prokuroria.

Pikërisht kjo është dhe arsyeja që ndërkombëtarët kërkuan me ngulm zhvillimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, çka kthen shpresën te shqiptarët se drejtësia bëhet.

Teksa në pritje të nisjes së komisionit të vettingut rastet e zvarritjeve dhe abuzimeve ndoshta do të vijnë e të shtohen si grahma e fundit e një drejtësie që sjell më shumë debate se zgjidhje, më shumë ngërçe dhe lodhje se lehtësim të qytetarëve që prej vitesh enden në dyert e gjyqësorit, pa gjetur atë që kërkojnë, drejtësi dhe përfaqësim të drejtë ndaj shkeljeve sidomos atyre që bëhen prej institucioneve shtetërore.

ORA NEWS