Ish-deputetin “kaubojs”, Eduart Ndocaj, policia e ndalon, prokuroria e liron

Eduart Ndocaj, ish-deputeti i Partisë Socialiste, është ndalur dhe është liruar më pas me urdhër të prokurorit në Lezhë.

Ish-deputeti i Lezhës dhe kreu i partisë Bashkimi Kristian Demokrat Shqiptar është ndaluar nga policia për verifikim, për akuzën e mashtrimit. Ndocaj ishte shpallur në kërkim nga Sektori i Krimit Ekonomik të Policisë së Lezhës. Sipas policisë ai akuzohet se me anë të mashtrimit i ka vjedhur një shtetasi italian në Itali, shumën prej 78.000 € duke i premtuar një tender për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri.

Po ashtu, Ndocaj personit që i kishte bërë këtë premtim, akuzohet se i ka vjedhur një mjet tip “Audi Q7” me targa “FD498LJ”. Ndaj Eduart Ndocajt rëndon akuza për verën penale: Skemat mashtruese dhe piramidale.

Pasi u ndalua në Portin e Durrësit, Ndocaj u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, ndërsa pas marrjes në pyetje u la i lirë. Ndaj tij u referuan materialet në Prokurori dhe ish-deputeti po hetohet në gjendje të lirë. Mësohet se Ndocaj, i njohur dhe me nofkën deputeti “Kaubojs” për shkak të kapeles që mbante gjithmonë edhe në ambientet e Kuvendit, është lënë i lirë me urdhër të prokurorit të Lezhës.

Ndocaj: Jam në traget duke udhëtuar drejt Italisë, s’jam ndaluar nga policia

Pas publikimit të lajmit në Media ka reaguar ish-deputeti. Ai ka mohuar akuzat, por pranon se ndaj tij ka një padi nga një shtetas italian.

Ish-deputeti Eduard Ndocaj ka reaguar për herë të parë pas lajmit për ndalimin e tij në Durrës. Ndocaj shkruan në “Facebook” se ndodhet në traget duke udhëtuar drejt Italisë. Ai mohon se është arrestuar dhe se do ketë një reagim nga avokati i tij në Shqipëri.

“Nuk ka asnje ndalese apo arrest per ish deputetin Eduart Ndocaj. Kjo foto eshte live nga trageti qe po udheton drejt Italise. Sa i perket ceshtjesh ne fjale se shpejti do te publikojme nje deklarate nga avokati i tij ne Shqiperi. Mediat eshte mire te bejne verfikime para se te nxjerrin lajmin. Kjo eshte abc e gazetarise serioze”, shkruhet në faqen zyrtare të Ndocaj në “Facebook”.

Policia e Shtetit publikoi sot detaje për ndalimin e deputetit në Pikën Kufitare të Portit Durrës. Sipas policisë, Ndocaj u ndalua dje pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ndaj ish-deputetit u referuan materialet në Prokurori dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrimi” parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Flet avokati i ish-deputetit

Ndërkohë Jordan Daci, avokat i ish-deputetit shprehet se lajmet e publikuara janë një sajesë.

Reagimi në Faqen zyrtare në Facebook të ish-deputetit Ndocaj:

Tiranë, më 10 tetor 2017

DEKLARTË PËR SHTYP  E MBROJTËSIT TË Z. EDUART NDOCAJ

Të nderuar përfaqësues të media,

Duke marrë shkak nga publikimi i disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse të publikuar në mediat elektronike, në cilësinë e mbrojtësit të z. Eduart Ndocaj dëshirojmë t’ju bëjmë me dije si vijon:

z. Eduart Ndocaj është një qytetar i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë për ndonjë vepër penale nga organet e hetimit dhe organet gjyqësore të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht ai po udhëton drejt familjes së tij në Itali.

Është i pavërtetë lajmi i arrestimit apo i ndalimit të tij. Mbrëmjen e djeshme ai i është nënshtruar një verifikimi policor sikurse mund t’i nënshtrohet çdo qytetar tjetër i lirë dhe në asnjë rast atij nuk i është hequr liria si person i ndaluar ose arrestuar. Ngjarja ka marr shkas nga denoncimi i një shtetasi Italian të quajtur ….që ka disponuar me kontratë ligjore një automjet… i cili më vonë e ka denoncuar si të vjedhur për qëllime që vetëm ai mund t’i dijë… Pas denoncimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pasi është njohur me provat shkresore ia ka lënë automjetin nën ruajtje z. Ndocaj. Më tej, po për të njëjtin fakt juridik që nuk ekziston, ky shtetas ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, më 07.10.2010 dhe kjo e fundit, pa bërë asnjë verifikim dhe asnjë përpjekje për të kontaktuar me z. Ndocaj, ndonëse ky i fundit është ndër personat më publik në Shqipëri, e ka shpallur në kërkim policor. Shuma e pretenduar nga ky shtetas në fakt është shuma e vlerës së automjetit sipas kontratës ligjore që është vënë në dispozicion të organeve të hetimit… Për këtë ngjarje s’mund të japim më shumë informacion për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor…

Në cilësinë e mbrojtësit, ju bëjmë me dije që veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë krejtësisht jo profesionale dhe të pajustifikuara pasi policia kishte mundësinë që nëpërmjet sistemeve në përdorim të saj, të verifikonte fatin e hetimit të filluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, si dhe të kontaktonte drejtpërdrejtë me z. Ndocaj. Ky i fundit ndryshe ngase ka pretenduar Policia e Shtetit, ka qenë në ditën e premte, datë 06.10.2017 në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ku si ish deputet ka shkuar për të përfunduar dorëzimet e rastit. Pra shpallja në kërkim ishte e padrejtë dhe e pa bazuar në prova, fakte dhe në ligj. Megjithatë, sqarojmë që e njëjta polici, e cila ka gabuar në shpalljen në kërkim policor të tij pa bërë asnjë verifikim të nevojshëm, pasi u njoh me provat shkresore dhe thëniet e z. Ndocaj, nuk kreu asnjë veprim të mëtejshëm duke mos cenuar lirinë e tij.

Lidhur me publikimet në media, ju bëjmë thirrje gjithë organeve të nderuara të medias, të mos publikojnë lajme të pavërteta dhe me qëllime dashakeqëse ndaj z. Ndocaj. Gjithashtu, u bëjmë thirrje mediave që kanë publikuar të heqin lajmin menjëherë dhe të mos dezinformojnë publikun për gjëra që nuk ekzistojnë. Ndërkohë, u bëjmë thirrje organeve të hetimit të fillojnë një hetim për veprën penale të “Zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal në lidhje me nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, pasi informacionet e publikuara (duke përfshirë pasaportën) e z. Ndocaj janë nxjerrë nga aktet e hetimit dhe më pas janë manipuluar për qëllime të dëmtimit të imazhit të z. Ndocaj.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo sqarim që nuk cenon sekretin hetimor.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

Mbrojtësi i z. Ndocaj

Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI