“Alfabeti i tranzicionit”, një libër nga Gilman Bakalli

Universiteti Europian i Tiranës dhe UET-Press promovojnë nesër librin  “Alfabeti i tranzicionit” me autor publicistin dhe pedagogun Gilman Bakalli,  në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
 
U bënë plot një vit që është ndarë krejt papritur nga jeta publicisti, pedagogu dhe politikani Gilman Bakalli. Në kujtim të tij UET, universiteti ku ai kaloi vitet e fundit të jetës duke dhënë mësim dhe duke shkruar, boton një libër me publicistikën e tij nën titullin “Alfabeti i Tranzicionit”.
Libri promovohet nesër në UET gjatë një takimi përkujtimor me familjarët, miqtë e studentët e tij, që do të moderohet nga gazetari Mero Baze.
Libri është ndërtuar në formën e një alfabeti, ku çdo shkroje i përkon një çështje sociale apo politike e trajtuar mjeshtërisht me stil nga profesor Bakalli.
“Alfabeti nuk ka si pikësynim trajtimin e të gjitha problemeve të periudhës së tranzicionit. Ai shërben si një guidë për të reflektuar në lidhje me këtë periudhë dhe me ekzistencën tonë të ardhme duke pasur parasysh pasojat e veprimeve që ndërmarrim. Një aspekt kryesor i tekstit është se na ndihmon të edukohemi për një lexim kompetent dhe domethënës, duke shmangur çdo dogmë e fondamentalizëm. Ne vëmë në dyshim vazhdimisht gjuhën, njohuritë tona, dijen, instrumentet, institucionet, me një fjalë kulturën.
Ky tekst përfaqëson jo vetëm një mënyrë efikase për të përballuar kërkesën për edukim që kanë gjeneratat e reja (boshllëk në kujtesën historike, nevojë për identitet, ndjenjë përkatësie, dëshirë për të ardhmen etj.) por, ashtu siç thotë edhe Paul Ricoeur , na çon, të paktën si kontekst ideal, te mjeshtrit e dyshimit. Siç thotë edhe Erich Fromm, shumë njerëz jetojnë me ankth e janë në hall pikërisht kur u jepet atyre liria e plotë e mendimit dhe e veprimit sepse nuk dinë më kujt t’i binden, nuk dinë më se kujt t’i mbështeten.
Pra duhet të kemi dyshim te një e vërtetë e hamendshme, te një siguri të cilën e besojmë si të tillë, por pa humbur besimin dhe pa u bërë pesimistë. Vetëm kështu kujtesa do të bëhet e “rrezikshme” ndaj atyre që kanë fuqinë në dorë e që duan të ruajnë privilegjet e tyre duke na detyruar të harrojmë të kaluarën dhe duke u munduar të na heqin dëshirën për drejtësi, e cila buron nga zemra e çdo njeriu. Siç shprehet vetë Bakalli te “Intelektuali”:“…vlera e intelektualit matet me aftësinë e tij për reflektim kritik, matet me distancën e tij relative ndaj sferës së politikës dhe ekonomisë. Autonomia e intelektualit ndaj politikës përbën kushtin themelor për krijimin e një dijeje të pakorruptuar”,– shkruan Gino Luka në parathënien e këtij libri.
Ndërsa Administratori i UET-it, Henri Çili,  në pasthënien e këtij libri sjell një profil të njeriut, pedagogut e kolegut Bakalli.
“Gilman Bakalli ishte dhe mbeti profesori ideal, ai arketip që shërben të krijojë strukturat ose kolektivat universitare si struktura elitare të shoqërisë.
Kishte një formim universitar të kompletuar edhe pse në dukje eklektik: me një profesion të ri në shkencat e komunikimit, duke ardhur nga linguistika, pas studimeve të mëparshme në shkencat gjeologjike. Me metodën e tij të kërkimit filozofik nëpërmjet dialogut ai ishte një sokratian, sokratian në kuptimin e njohjes së thellë të filozofisë e të njohjes së kulturës në tërësi. Ashtu si filozofi i Athinës, ai kërkonte “të nxirrte” nga studenti ato mendime që janë krejt personale, ndryshe nga ata që duan t’u imponojnë pikëpamjet e tyre të tjerëve, me anën e retorikës dhe artit të bindjes. Si pjesë integrale të kësaj metode ai përdorte batutat e shkurtra dhe të mprehta.
Ishte një profesor i përsosur, profesor frymëzues, profesor i cili për studentët është një frymëzim me një mënyrë për t’ju qasur botës në një formë të re, përtej skolastikës, përtej funksionalizmit, përtej lidhjeve të akademisë me tregun e punës. Më kujtohen shumë prej hipotezave të tij, një nga të cilat në lidhje me tregun e punës: “dija në vetvete që nuk ka nevojë për lidhje me tregun e punës dhe, pa pasur nevojë për lidhje me botën praktike, e lidh studentin master shumë më tepër me botën e punës sepse i krijon një overvieë të përgjithshëm mbi botën”. 
Ai ishte i mbrujtur me tiparet e një njeriu që kishte lexuar e që kishte përkthyer e që vazhdonte të lexonte pafundësisht e të përkthente; komunikimi me të ishte një kënaqësi më vete. Bisedat me Gilman Bakallin ishin gjithnjë të gjalla, konceptuale e të strukturuara, duke krijuar kështu nocione të reja e mënyra të reja për vështrimin e botës. Si bashkëbisedues i kulturuar ai mund të konsiderohet një mëndje e bukur, një mendje e pajisur me atë dije që përbën bazën për një profesor sui generis, të dashur nga studentët dhe kolegët”, – shkruan ndër të tjera në pasthënien e librit, Henri Çili./Mapo.al/