Ministri Klosi reagon për ndërtimin në Këlcyrë: Dinozaurë të tillë nuk do lejohen

Pas denoncimit të ngritjes një biznesi pa leje të shfrytezimit të ujrave të lumit Vjosë, në grykën e Kelcyrës, ministrat Blendi Klosi dhe Sonila Qato udhëtuan sot drejt vendit ku janë hedhur kolonat dhe betoni për devijimin e ujërave dhe shfrytëzimin e tyre për biznes.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se: “Nuk ka asnjë tolerim për bisnese të paligjshme në dëm të interesit të përbashkët dhe pasurisë së përbashkët, mjedisin. Dinozaure mjedisorë si ky ndërtim këtu, nuk do të pranohen, nuk do lejohen dhe nuk kalojnë në heshtje”.

Ministri tha se kanë nisur hetìme për ndëshkimim e institucioneve që nuk vepruan në kohë. “Gjej rastin të falenderoj drejtuesit e ministrisë së brendshme për nisjen e hetimeve për mosveprimin e policisë së shtetit për këtë skenë krimi, si dhe heshtjen e çdo strukture lokale që mbyllin sytë dhe lejojnë të tilla biznese të paligjshme, krime mjedisore që dëmtojnë interesat e përbashkëta, pronën e përbashkët dhe me shumë sesa kaq, lejojnë të dëmtohet kjo pasuri e përbashkët siç është lugina e Vjosës, që është trashegimi e përbashkët historike, kulturore, por dhe  shpirtore”, tha Ministri Klosi gjatë inspektimit sot në Këlcyrë.

Klosi ftoi qytetarët që të kryejnë denoncime për raste të ngjashme. “Për ne, për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për këtë qeveri që ka shpallur aleatë të bashkëqeverisjes qytetarët, interesi dhe zëri i tyre është vendimarrës. Ndaj ftoj çdo  qytetar të denoncojë, bashkëveprojë me ne për të penguar, moslejuar apo parandaluar vepra të tilla, krime të tilla mjedisore, dinozaure të shkatërrimit të pasurisë së përbashket, mjedisit”,-tha ministri Klosi.