Dëmtohet edhe Kukeli, Kombëtarja me mesfushë “të arnuar” ndaj Italisë

Kristian Panuçi vendos të ndryshojë gjysmën e skuadrës për ndeshjen e nesërme me Italinë. Pas humbjes 3-0 në Spanjë, trajneri kuqezi pritet të hedhë në fushë gjashtë lojtarë që munguan në Alikante.

Rikthimi nga pezullimi i Mërgim Mavrajt dhe Odise Roshit do të konfirmojë këta të fundit si titullarë. Nga ana tjetër, Balliu, Veseli dhe Memolla në mbrojtje, si dhe Grezda në sulm pritet të ulen në stol. Ndërsa Xhaka dhe Llullaku do të mungojnë prej kartonëve. E sigurt është që titullarë do të rikthehen kapiteni Agolli dhe sulmuesi Sadiku.

PROBLEMI – Mirëpo, planet e Panuçit janë prishur disi në seancën e djeshme. I rikthyeri nga pezullimi, Burim Kukeli, është dëmtuar në gju dhe sipas të gjitha gjasave do ta ketë të pamundur të jetë gati për nesër. “Panorama Sport” zbulon se mesfushori ka kapur keq gjurin gjatë një dueli në stërvitje.

Fillimisht u mendua se ishte diçka e lehtë, por pas përfundimit të seancës, stafi mjekësor konstatoi se bëhej fjalë për një dëmtim serioz, që mund ta mbajë disa ditë larg fushave. Kësisoji, me mungesën e Xhakës dhe Kukelit, Shqipëria humbet “muskuj” në mesfushë në prag të përballjes me Italinë në “Loro Boriçi”.

TITULLARËT – Panuçi mendon të rikthejë skemën 4- 1-4-1. Në portë do të jetë Berisha, ndërsa në mbrojtjen me katër do të luajnë Hysaj në të djathtë, Ajeti dhe Mavraj në qendër, si dhe Agolli në të majtë.

ë mesfushë nga krahët pritet të luajnë Roshi në të djathtë dhe Latifi në të majtë. “Diga” para mbrojtjes do të jetë një mes Kaçes dhe Lilës, ndërsa në qendër të repartit të mesfushës mendohet ta nisin nga minuta e parë dyshja BashaMemushaj. Në majë do të jetë elbasanasi Sadiku.