Tonin Çobani, ndërmjet “mitit dhe antimitit” të Fishtës

-Në 70 vjetorin e lindjes-

Nga Frano KULLI

Tonin Çobani, zëdhënësi më serioz i veprës së poetit kombëtar Gjergj Fishta, për nga raporti komunikues mes tij e trashëgimisë letrare të poetit, së paku prej më se njëzet vjetësh, e ka shfaqur qysh heret, në fillesat e publikimit të studimeve të veta njëfarë droje përreth keqinterpretimit të mitit të Fishtës. Heret, qyshsekur do të botonte “Miti dhe antimiti fishtjan”, rreth dy dekada më parë ai e kish qëmtuar e pohuar këtë të vërtetë; këtë përpjesë (ndarje) të tij në dy të përkundërtat e veta, në të përndritshmen gati hyjnore(mitin) dhe në të zezën sterrë (antimiti).

At Fishta u bë pjesë e ndërgjegjes së civilizuar të popullit të vet si poet epik e lirik,si dramaturg, prozator e orator,si burrë shteti dhe aktivist i shquar shoqëror…Ky njeri poliedrik i veshur  me petkun e zakonshëm të fratit,që i doli zot problemit të koklavitur shqiptar të gjysmës së parë të shekullit tonë[XX], dashje pa dashje krijoi rreth vetes një aureolë mitike.”-shënon  si veçori të studimeve të veta,Tonin Çobani, zanafilla e të cilave nis me “Miti dhe antimiti fishtjan, Tiranë 1999.

Kur poeti ndërroi jetë dhe u nis për në botën e të shumtëve, këndej pati lënë mitin e krijuar përreth tij e veprës që la.Ai qe kthyer në një institucion të ndërgjegjes kombëtare shqiptare; si i tillë një pikë referimi edhe  për të huajt, për miq e për armiq. Por në pak vite,për shkaqe historike dhe jo letrare, miti përreth tij u rropos,ai  jo vetëm që nuk mund të kujtohej, po nuk mund t’i përmendej as emri. Erdhi pra kështu, me heshtjen vetë, antimiti, i cili  ndau përgjysë kohëgjalljen me kohëvdekjen e Fishtës, sikurse u nda kështu në dysh edhe vetë miti i krijuar rreth tij.Vdiq miti dhe lindi antimiti.

Bash këtu, në të mesmen jetë-vdekje,dritë-hijë, lavdi e mallkim, rreket ,gjatë gjithë kësaj kohe Tonin Çobani, në punën e paqtë studimore (pa tam tame e trumpeta) , për të ndriçuar e shestuar këtë dyzim të krijuar “deus ex machina”, shestim të cilin e kërkonte vetë e sotmja , letrare dhe jo vetëm. Qasjen tek miti i poetit,tani që koha kish ndërruar  e kërkonte nevoja për ta  risjellë Fishtën  në letrat shqipe dhe në kujtesën kombëtare gjithashtu, në vendin e vet të merituar.Jo për ta rikrijuar mitin përmes urrejtjes së antimitit, por për ta risjellë Fishtën përmes veprës së vet, pa lule e lajle, por edhe pa anatema.Përmes analizës sa më të thelluar të thelbit të veprës, e jo të imazhit (as vezullues as të sterruar).

Mbas “Mitit….”,Tonin Çobani pason edhe me 4 libra të tjera studimorë rreth kësaj figure shumëdimensionale, duke shtjelluar anë e linja të veçanta të veprimtarisë e veprës, vlerën e njëmendtë të saj.Me synimin fisnik për të ringjallë një mardhënie të fjetur me përdhunë të shqiptarëve me një simbolin e vet kombëtar, të lexuesit me letërsinë e tij, të cilën ia kishin shpallur të pavlerë, me njëqind epitete denigruese; prolikse, anakronike, folklorike etj, etj. Synim, të cilin e kanë shpërfaqur qysh heret, në vitet e para pas rënies së rregjimit, shkaktari i vetëm i gjithë asaj çfarë ndodhi me Fishtën, edhe të tjerë dashamirë; qytetarë mbarë, po edhe ligjërues aulash universitare.Shumë syresh, duke sjellë për publikun , ende të ndarë pro dhe kundër , studime të vlerta përreth tij e veprës së vet. E kanë bërë dendur këtë, profesorë e studentë, kandidatë e doktorantë, sidomos viteve të para pas rënies së rregjimit, duke shuar kështu etjen publike,  së paku për …përmendjen pa droje tashmë të Fishtës së anatemuar…

Tonin Çobani nuk ka rreshtur, por ka vijuar ritmikisht në sipërmarrjen e vet studimore në përmbushjen e synimit fisnik. Edhe përgaditja në krye të një redaksie me studiues të njohur të korpusit të veprës vijon në kahjen e ringjalles së kujtesës për vlerat tona të njëmendta…Së fundi i është kthyer fillimeve letrare të Fishtës. Libri sapo ka dalë nga shtypi.

Dhe e hapur mbetet gjithherë ftesa për lexim. Jo enkas për librin e Toninit.Po,për leximin e veprës së Fishtës, më së pari. Se , prap e prap jemi tek imazhi, i cili edhe ai shpesh përcillet me shpërfillje “modernitare”. Jemi prap ndërmjet fjalëve për mitin dhe  antimitin; jemi pra te zhguni i fratit a kostumi i diplomatit pa çekë për së thelli forcën e fjalës e të veprimit të tij, çka përbën ashtin e kësaj krijese të posaçme të vlerës sonë kombëtare…Me dije a pa vetëdije, me adhurim e a me xhelozi.Tonin Çobani, po përpiqet prej vitesh të zhdavarisë këtë mjegull…