Publikohen afatet e fundit për regjistrimin në universitete

14 tetori është afati i fundit për regjistrimin në universitete për të gjithë studentët e shpallur fitues në raundin e dytë, e ndarë në 7 faza 48 orëshe.

Sipas udhëzimit të ri të që mban firmën e Ministres së Arsimit dhe Sportit “kur një aplikant është shpallur fitues, duhet të paraqitet pranë IAL- ku dëshiron të regjistrohet, brenda afatit 48-orësh. Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda afatit 48 orësh, ai humbet të drejtën e regjistrimit, në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë. Për programet e studimit të ofruara nga universitetet private të cilat nuk parashikojnë kritere shtesë, nuk aplikohet ndarja në faza 48-orëshe”.

Sipas udhëzimit të ndryshuar, që mban datën dy tetor, parashikohet edhe një shtyrje të afateve për kuotat e paplotësuara.

“Në rast se pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Këta fitues të rinj mund të regjistrohen vetëm në fazën pasardhëse. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë në datën 14 tetor 2017”.

Për programet e studimit me kuota të paplotësuara të cilat nuk kanë aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët fitues në fazat paraardhëse, të cilat nuk rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes të aplikantëve për raundin e dytë.

“Kuotat e paplotësuara plotësohen me kandidatët e renditur sipas pikëve të fituara mbas vijës së kuqe, brenda datës 24 tetor 2017”.

IAL-të brenda datës 27 tetor 2017 dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar, në formë shkresore dhe elektronike në format excel me qëllim pajisjen me numër matrikullimi, sipas programit të studimit dhe tipologjisë së kandidatit. Emrat e dërguar pas kësaj date nuk do të procedohen./scan