Pastrimi i Shqipërisë, Klosi: Kemi listën e ndotësve

Ministri i ri i Mjedisit, Blendi Klosi, në kuadër të aksionit të pastrimit, thotë se Shqipëria mund të pastrohet edhe në 300 ditë. “Kemi filluar me projektet pilot që kanë të bëjnë me ndotësit e bregdetit, të lumenjve, do të vazhdojmë me guroret, me trajtimin e mbetjeve. Siç kemi filluar me akset kryesore do të vazhdojme me pastrimin e gjithë Shqipërisë. Për këtë kemi nevojë për një aleancë të madhe me ushtrinë, policinë, që janë në terren, si dhe aleancë me qytetarët”, ka deklaruar Klosi për ”Top Channel”.

Ministria e Mjedisit ka një listë me ndotësit kryesorë të ujërave detare që dëmtojnë rëndë turizmin. “Kemi të verifikuara mbi 800 subjekte që i derdhin ujërat e zeza në lumenj dhe det. Të gjitha këto kanë leje mjedisore që do të rishikohen. Për ata që nuk zbatojnë rregullat, lejet nuk do jenë më të vlefshme. Është e patolerueshme që kaq shumë bare e restorante derdhin ujërat e zeza në det. Brenda majit të vitit tjetër duhet të kenë realizuar një deburator të ujërave të zeza”, ka thënë Klosi.

Ministri Klosi ka shtuar se nuk është kundër biznesit, por ky nivel ndotjeje, veçanërisht në zonat bregdetare, është i patolerueshëm. “Do të ketë një forcë më të madhe ligjore. Po përgatisim me ekspertë një paketë të re ligjore. Nga vepër administrative do jetë vepër penale”, ka nënvizuar Klosi.