Opinion nga Herion Mesi: Revolta e kotë, apo e pavlerë e Sali Berishës?!

Nga: Herion MESI.

Rikthimi i bujshëm i Fatos Nanos javën e shkuar i cili foli për (a) moralin politik shqiptar, duke nënvizuar fort tek mosmirënjohësit, duket se e ka ngjallur nervin e reagimit, për të mos thënë ndjenjën e xhelozisë, të ish-kundërshtarit që do të kthehej me kalimin e kohës edhe një mik i tij, Sali Berishës.

Lideri historik i PD-së u kujtua pasditen e djeshme të komentonte gjithçka ka ndodhur përgjatë këtyre muajve në partinë që ai ia besoi Lulzim Bashës 4 vite më parë. E për këtë të fundit nuk i kurseu kritikat dhe kundërshtitë e tij, jo vetëm atij por gjithë njerëzve të ngushtë që ai ka përfshirë në parti.
Por pse dje flet Sali Berisha? Pse nuk foli kur Basha dhe Rama në ndërrimin e datave të 17-18 majit, me qirinj në dorë, firmosën paktin errët që u prezumua se i dha fund krizës politike së atyre muajve. Dikush mund të thotë: Nuk mund të ndërhynte Berisha në mes të një procesi. Por pse nuk foli Berisha kur aleatët e së djathtës nisën të dilnin të zhgënjyer nga zyra e Bashës, i cili disa nuk i përfshiu fare në listën e kandidatëve, e disa të tjerëve u ofroi një vend që humbja ishte më se e sigurt? Por pse nuk foli Berisha kur qëndrestarët e parlamentit “të inkriminuar” të legjislaturës së shkuar nuk u përfshinë fare dhe me një të rënë të lapsit u fshinë nga Basha? Edhe për këtë sërish disa mund të thonë: Nuk mund të fliste Berisha, pasi nuk donte të demotivonte demokratët që një muaj më vonë do i drejtoheshin kutive të votimit, pas maskaradës që ndodhi me çadrën tremujore në sheshin para Kryeministrisë. Por pse nuk foli Berisha kur Lulzim Bashës i duhej kujtuar rezultati katastrofal i arritur nga një forcë politike në periudhën post-komuniste dhe për këtë dikush dhe me shumë se askush duhej të merrte përgjegjësitë e tij vetë Lulzim Basha? Pse nuk foli, por tha që kjo ishte një vendimmarrje personale e kryetarit, pasi Statuti i PD-së nuk e ka të sanksionuar dorëheqjen?

Sali Berisha foli dje, në kohën kur në parlament është deligjitimuar kauza e rifillimit e PD-së, ajo e betejës kundër komunistëve në Kuvend. I tradhtuar nga “demokratët” e Bashës, Berisha prej së dielës ka nisur të tregojë dhëmbët, dhe këtë e bëri më së miri edhe pak orë më parë. Por kujt i hyn në punë kjo? Në Kuvend, kur kryeparlamentari i zgjedhur nga PD-ja, Gramoz Ruçi, i ndërpreu fjalën me argumentin e respektimit të Rregullores së Kuvendit, nga i gjithë grupi parlamentar i vetmi që u shfaq në krah të tij ishte Flamur Noka. Sali Berisha për herë të parë, ndoshta, ishte vetëm, ose pa mbështetje. Dhe me shumë gjasë në atë moment do i ketë ardhur ndër mend koha jo shumë e largët, kur Kuvendi drejtohej nga Ilir Meta, dhe grupi demokrat ngrihej i gjithi në këmbë sa herë dikush i ndërhynte atij në kohën e që ai mbante fjalime.

Sali Berisha mesa duket dje e ka ndjerë nga afër frikën që PD-ja nuk është më nën kontrollin e tij. Dhe kjo duket se është arsyeja që ai sot zgjodhi të flasë, zgjodhi të reagojë, zgjodhi të sulmojë, ashpër dhe pa mëshirë, Bashën dhe ithtarët e tij. Berisha foli dhe mirë bëri, se ka ardhur koha të flasë dhe të rrëfejë ndoshta gabimin e tij, duke vendosur në krye të partisë më të madhe të opozitës një lider që nuk frymëzon, që nuk arrin dot të bindë elektoratin tradicional të dalë e të votojë, një lider që asnjëherë nuk merret seriozisht.

Por revolta e Berishës është e kotë, pasi nuk i shërben askujt, as vetë PD-së. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se tani ka përfunduar gjithçka: Gramoz Ruçi (kauza e rifillimit të PD-së) është sot kryetar legjitim i Kuvendit dhe që me votëbesimin e PD-së ka të drejtë t’ia mbyllë gojën Berishës kur ai e tepron me kohën; Edi Rama dje zhvilloi mbledhjen e tij të parë të mandatit të dytë si kryeministër, mandat të cilin e fitoi edhe falë kontributit të vyer të Lulzim Bashës, i cili e humbi rastin për të rikthyer besimin e njerëzve tek e djathta me marrëveshjen e 18 majit.

E pra, Berisha u rikthye mbrëmë, por është shumë vonë. Sepse tani nuk kemi as zgjedhje politike, e as zgjedhje në PD, dhe deri në zgjedhjet e ardhshme mesazhet e sotme të tij do të jenë futur në arkivën e madhe të harresës, ndërsa në publik, lideri historik i PD-së do ketë alibinë se ai ka reaguar për të gjitha gjërat që ndodhën në PD. Atëherë pse e bëri dje? Dhe përgjigja më e mirë do vijë nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili nuk duhet të bëjë asgjë më shumë se sa të mirë-menaxhojë heshtjen për deklaratat e sotme të paraardhësit të tij.