Rama: Kur “fiken dritat”, PD ka marrëdhënie të mira me Ruçin

Kryeministri Edi Rama ka folur sonte në studion e Sokol Ballës duket e nisur intervistën e tij me shpronësimet dhe dëmshpërblimet e qeverisë. Sipas tij, rasti i pallatit të prishur të Uji i Ftohtë në Vlorë është një nga shembujt sesi gjyqtarët japin vendime në favor të privatit duke dëmtuar shtetin.

Duke komentuar deklaratat e ish-presidentit Bujar Nishani, Rama tha se me ish-krerët e shtetit qeveria e tij ka vendosur një standard të ri në respekt të figurës.

“Me ish-Presidentin Nishani vendosëm një standard duke i ofruar një zyrë pune” – tha Rama. Sipas tij në godinën e ish-gazetës “Zëri i Popullit” ndodhet një ambient ku qeveria i ofron ish-presidentëve një sekretari dhe ambient pune.

Ai komentoi edhe të paktën dy votat e PD në favor të Gramoz Ruçit.

“Marrëdhëniet e Gramoz Ruçit me Partinë Demokratike janë mëse të mira kur “fiken dritat”. Ai është pika e tyre e referimit kur vjen puna për problemet në sallën e parlamentit” – deklaroi Rama.

Intervista

Sokol Balla: Vendimet e para ishin vendime që nuk mund t’i shmangin pyetjet, morët vendim për Skënderbeun, për certifikatat dhe dy vendime të tjera, një i dhatë zyrë Bujar Nishanit dhe kompensuat pallatin që prishët në Vlorë, ku aksionerë janë të afërm të kryetarit të opozitës.

Edi Rama: Kjo e dyta është e pavërtetë dhe më vjen keq që kazani mediatik prodhoi një tjetër broçkull. E vërteta është ndryshe. Ne kemi ndërmarrë një proces normal shpronësimi në kohën kur u zhvillua gjithë ajo zallahia për prishjen e asaj godine. Shifra është kontestuar nga pala e dëmtuar. Kontestimi i palës ka rënë në duart e një gjykatësi që është shumë i njohur për vendime skandaloze rritjesh të cimeve të shpronësimeve të qeverisë, që ka arritur në pikën që të japë një vendim ekzemplar duke ndaluar shpronësimin për interes publik të një karburanti mu në aksin e Lungomares në Vlorë.