Piskama e kotë e Sali Berishës

Sali Berisha ka folur për herë të parë hapur kundër Lulzim Bashës. Pesë vite, pasi e ka mbështetur me kokëfortësi në marrjen e PD dhe në çdo aksion të Bashës, dje Sali Berisha është shfaqur më kritik se kurrë ndaj të zgjedhurit të tij. Në një intervistë dhënë për gazetarin Çim Peka, ish-kryeministri ka thënë disa të vërteta përvëluese për kryetarin e PD dhe njerëzit që mbështesin atë. Më saktë për grupin Basha në PD.

Berisha është distancuar hapur dhe prerë nga listat e kandidatëve për deputetë më të cilët u prezantua në fushatën elektorale Lulzim Basha. Ish-kreu i PD-së e ka cilësuar atë si listën personale të Bashës dhe jo të Partisë Demokratike. Kjo për faktin se nuk është miratuar në asnjë forum të partisë, gjë që për ish-liderin Berisha është një akt i papranueshëm.  Ish-kryeministri e ka bërë Bashën përgjegjësin kryesor për humbjen e rëndë të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit.

Po ashtu Berisha e ka cilësuar të pajustifikueshme përjashtimin e shumë figurave të njohura të PD. I pyetur për përjashtimin e Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Ritvan Bodes dhe të tjerëve, Berisha deklaroi se ai “as nuk mund ta imagjinonte që të bënte një listë si ajo” , pra si lista e firmosur nga kryetari Basha. Lind një pyetje: Pse nuk foli atë natë Berisha, kur u bë lista? Si ka mundësi që Basha paska guxuar të mos i hap telefonin ish-liderit, pasi edhe sikur ta mendoj në endërr këtë Basha, do ta linte zemra para autoritetit të fuqishëm të Berishës në PD?! Ose, në paska ndodhur kështu, atëhere listën e PD e paska hartuar Edi Rama në këmbim të marrëveshjes për të bashkëqeverisur pas 25 qershorit.

Megjithatë mbrëmë Sali Berisha nuk ka ndalur me kaq, por në shënjestër ishte dhe mënyra si u menaxhua marrëveshja Rama-Basha. Ish-kryeministri parimisht është dakord me marrëveshjen, por jo më mënyrën sesi Basha reagoi pas saj. Ai e thotë hapur se këshilltarët e Lulzim Bashës ishin një katastrofë e vërtetë dhe u treguan të paaftë për të përfituar nga marrëveshja. Si shkak kryesor të rrudhjes së PD-së në zgjedhje, Berisha fajëson pikërisht paktin Rama-Basha. Ish-kryeministri deklaron se Edi Rama u tregua politikan dinak duke krijuar idenë se pas marrëveshjes do të kishte një qeveri PS-PD. Ndërkohë që ky qëndrim, sipas Berishës, solli dhe ikjen dhe mosvotimin e gjithë bazës historike të PD-së. Për këtë humbje spektakloare, Berisha fajëson Bashën, por edhe njerëzit afër kryetarit që ishin “këshilltarë mizerabël elektoralë, mizerabël”. Berisha deklaroi se në vendimmarrjet kryesore nuk është pyetur nga Lulzim Basha, por  ka marrë mendimin e këshilltarëve të afërt, që kanë rezultuar të jenë fiasko. Akuzë shumë e rëndë kjo e Berishës.

Berisha lëshoi dhe një mesazh për Patozin, Topallin dhe të tjerët e pakënaqur , të cilët u përjashtuan nga Basha. Ai tha se të përjashtuarit kanë të drejtë në reagimet e tyre, por duhet të shohin interesin e Partisë Demokratike. Po ashtu ka ftuar edhe Bashën të reflektojë për gabimet që bëri me përjashtimin e tyre.

Deklaratat e bëra dje nga Berisha janë një goditje e fortë ndaj Lulzim Bashës në Partinë Demokratike. Edhe pse Berisha u tregua i kujdesshëm që të mos thoshte “fjalët e fundit”, mesazhi është i qartë. Ish-kryetari i PD dhe lideri historik i së djathtës nuk e mbështet plotësisht Lulzim Bashën në vendimmarrjen e tij. Berisha nuk la të kuptohej se do të kishte ndonjë aksion apo lëvizje pas deklaratave të tij. Në fund, ai deklaroi se e mbështeste Bashën dhe shpresonte nëse kryetari do të tregohej i aftë, PD-ja mund të vinte sërish në pushtet. Berisha duket se donte të çonte një sinjal të fortë të Lulzim Basha, por pa ja hequr të drejtën e të qenit kryetar.

Kjo dalje publike e ish-liderit Berisha, ndonëse duket si një sulm ndaj Lulzim Bashës, por në të vertetë mund të lidhet me një mënyrë thirrje që palët Basha dhe antiBasha të përbashkohen, pasi në të kundërt copëtimi i PD-së do jetë drastik në këto katër vite të tjera në opozitë. Thirrja e ish-liderit mbetet një thirrjë në shkretetirë, pasi aty ku bëhet dueli politik dhe lufta politike, në parlament, kundërshtarët e Bashës nuk janë më. Basha ndjehet i kënaqur që nuk ka në parlament dhe në oborrin e PD-së; Topallin, Patozin, Bregun, Imamin, etj. Ndaj thirrja majakrahut e Berishës nuk dëgjohet më, sepse Basha e ka kaluar lumin. Ai ka nevojë më shumë për kryeministrin Rama se sa për ish-liderin Berisha dhe antibashët.

Një piskamë e madhe doli dje nga shpirti i ish-liderit, ndërkohë që Basha do të mbyllë veshët, siç bëri Edi Rama kur foli kryetarja e LSI.  Rama dhe Basha janë “vëllëzër” që prej 17 majit, prandaj Berisha më kot vazhdon thirrje në shkretetirë.

Asnjëri, në PD-në e re, nuk e dëgjon, Berishën. E quajnë të kaluar pa kthim!

Qamil Xhani