Vizita e Presidentit Meta në Itali

0

 

Vazhdon vizita e Presidentit Meta në Itali.  Në fillim Presidenti Meta u prit nga Presidenti italian Sergio Mattarella në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Itali

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan bisedimet zyrtare ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në 25 vitet e fundit dhe duke iu referuar kësaj vizite të parë jashtë vendit, që pas marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës, vlerësoi në mënyrë të veçantë mikpritjen e demonstruar nga Italia dhe italianët për shqiptarët, si më shumë se pesë shekuj më parë, ashtu edhe në fillim të viteve ’90.

Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të marrin më shumë substancë dhe të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë.

Presidenti Meta theksoi se Italia ka qenë e do të mbetet një partner i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.

Presidenti Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve tw tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane.

Të dy Presidentët konsideruan komunitetin arbëresh në Itali si vlerë dhe themel mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet historike, njerëzore, politike mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe ranë dakord për mbështetjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike e kulturore të tij, si përmes iniciativave të përbashkëta ndërshtetërore, ashtu edhe për përshirjen në listën e trashëgimisë evropiane dhe asaj botërore të UNESCO-s.

Në këtë kuadër të dy Presidentët vendosën të zhvillojnë së afërmi një vizitë të përbashkët në një nga zonat e komunitetit arbëresh.

Një vëmendje të veçantë të dy Presidentët i kushtuan bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, duke theksuar nevojën e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut, në veçanti atë të narkotikëve si rrezik jo vetëm për Shqipërinë e Italinë por edhe për Evropën.

Të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në afrimin e shpejtë të vendit me Bashkimin Evropian.

Roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të veçantë në bisedimet mes dy Presidentëve.

Presidenti Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Mattarella nënvizoi se: Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan.

Në kuadër të angazhimeve të partneritetit strategjik dhe institucionalizimit të takimeve periodike mes dy krerëve të shtetit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Mattarella për një vizitë shtetërore në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

Presidenti Meta takohet me Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini

Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian zonjën Laura Boldrini, me të cilën zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu vendosmërinë për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që zonja Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eleminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian.

Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR-së) në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.

Intensifikimi i bashkëpunimi ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për nevojën e nxitjes të iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë e për ta dhe familjet e tyre.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta dhe zonja Boldrini ia kushtuan edhe bashkëpunimit rajonal dhe progresit të deritanishëm të këtij bashkëpunimi. Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin real të Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimimn Evropian dhe theksoi se angazhimi dhe prezenca më e madhe politike, institucionale dhe ekonomike e Italisë në rajonin e Ballkanit do të ishte shumë e mirëpritur.

Meta takim me grupin parlamentar italian të Miqësisë me Shqipërinë

Presidenti Meta takohet me anëtarë të Grupit parlamentar italian të Miqësisë me Shqipërinë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Itali u takua edhe me Kryetarin e Grupit parlamentar italian të Miqësisë me Shqipërinë, Senatori Salvatore Margiotta dhe anëtarë të këtij grupi.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vyer që Italia dhe Parlamenti italian i kanë dhënë procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu besimin se Grupi parlamentar italian i Miqësisë me Shqipërinë do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë fazë për të mbështetur vendimarrjen për hapjen e negociatave të aderimimt për në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta e Senator Margiotta theksuan rëndësinë që parlamentet e të dy vendeve, me iniciativë të Grupeve parlamentare të Miqësisë, të hartojnë një agjendë të përbashkët pune e aktivitetesh në funksion të nxitjes të mëtejshme, jo vetëm të bashkëpunimimt parlamentar edhe të ndërmarrjes së nismave parlametare por edhe të lehtësimimt të kontakteve mes njerëzve të fushave të ndryshme, kulturës, artit, biznesit.

Presidenti Meta theksoi nevojën e arritjes së një marrëveshje dypalëshe që do të mund të adresojë sigurimet shoqërore dhe vlerësojë kontributet individuale në këtë drejtim, si dhe nënvizoi çështjen e integrimit dhe të gjithëpërfshirjes së drejtë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe familjarëve të tyre, kontributin e tyre në ekonominë italiane dhe rëndësinë e mbështetjes së promovimit të komunitetit arbëresh si një urë e fortë të miqësisë mes dy vendeve.