Qeveria zvicerane mbështetje me projekte prioritare për Beratin

0

Gjatë një vizitë të zhvilluar në Bashkinë e Beratit ndërmjet Kryetarit të Bashkisë, Petrit Sinaj me ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, Cristoph Graff dhe drejtues të kooperimit zviceran me qendër në Bernë, u diskutua për projektet në fushat e infrastrukturës dhe ekonomisë, të cilat mbështeten nga qeveria zvicerane. Qëllimi i takimit ishte mbështetja financiare për disa projekte prioritare për qytetin e Beratit, më konkretisht projekti i menaxhimit të integruar i mbetjeve urbane për Rajonin e Beratit, projekti për financimin e rehabilimit të rrjetit të kanalizimeve për qytetin e Beratit, në kuadër të programit “Infrastruktura Bashkiake II”, bashkëpunim me bankën Gjermane KFW, si dhe projekti për mbështetje dhe asistencë teknike për financat bashkiake.

Për projektin  e menaxhimit të mbetjeve urbane, qeveria zvicerane ka miratuar paketën financiare dhe tashmë pritet miratimi i marrëveshjes me qeverinë shqiptare dhe pesë Bashkitë e Rajonit të Beratit. Ndërhyrja parashikon përgatitjen e një studimi fizibiliteti për landfillin e Beratit, përgatitjen e disa masave pilote për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, si dhe më pas ngritjen e një landfilli rajonal, i cili do të plotësojë kriteret dhe standardet e kërkuara për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane. Në lidhje me projektin e financimit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të zeza, aktualisht po punohet në Berat për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës – kanalizimeve, duke arritur zëvendësimin e tubacioneve të vjetra në rreth 60% të territorit të qytetit. Pritet edhe ndërhyrja në pjesën tjetër të territorit, duke arritur për rrjedhojë një sistem të ri të ujësjellës-kanalzimeve në Berat dhe mbulim 24 orë më ujë për qytetin.

Qeveria zvicerane ka miratuar gjithashtu edhe financimin e trajnimit të nxënësve të shkollës profesionale “Kristo Isak” në Berat, dukë mbështetur profesionistët e rinj në zanatet që kërkohen më shumë në tregun e sotëm. Gjatë takimit, Kryetari Bashkisë z. Sinaj, i siguroi palës zvicerane mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Bashkisë Berat në realizimin e projekteve të mësipërme, si një nga prioritetet e punës së Bashkisë së Beratit.