“Peshkatarët e Perlave”, Inva Mula rikthehet si regjisore

0

Në vitin 1964 sopranoja, Nina Mula interpretonte rolin e Leilës në operan “Peshkatarët e Perlave”. Opera e kompozitorit Georges Bizet, me libret të Michel Carré dhe Eugène Cormon, u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin e Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skënës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër janë: Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Leilas, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Në vitin 1990 e bija, sopranoja Inva Mula e riktheu ketë rolin e Leilës në veprën e Bizet, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Këtë herë regjisori Nikolin Gurakuqi i jepte jetë një opera që babai i tij Luigj Gurakuqi kishte vënë në skenë më 1964-trën. Dukej sikur “Peshkatarët e Perlave” ishte e rikthimeve të bukura në gjurmët e prindërve. Pas 53 vitesh “Peshkatarët e Perlave” e rikthen Inva Mulën, këtë herë si regjisore dhe protagoniste të veprës. Në 22, 24, 25 shtator në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve “Peshkatarët e Perlave” do të vijë nën regjinë e sopranos së njohur.  Solistët  kryesorë janë Armando Likaj dhe Simona Karafili do të interpretojnë në rolin e Zurgas dhe Leilas.  Opera tregon historinë e dy burrave, miqësia e përjetshme e të cilëve kërcënohet nga një grua. Ngjarja rivjen kësisoj nga kohët e lashta në ishullin e Ceilon. Dilema e “Peshkatarët e Perlave”  është konflikti në mes të dashurisë laike dhe betimit të saj të shenjtë si një priftëreshë.

Sinopsis i kësaj vepre operistike, nga më të famshme dhe më të debatuarat e asokohshme dhe krijimi virtuoz i Zhorzh Bize e ngritën në kult këtë kryevepër 150-vjeçare. Në kohën e premierës, kompozitori i  “Peshkatarët e Perlave”, Bize, ishte vetëm 25 vjeç dhe kishte ende sfida dhe mëdyshje për të vendosur veten në botën e muzikës parisienë. Pavarësisht nga një pritje të jashtëzakonshme nga publiku parisien, shtypi dhe kritika nuk ishte dhe aq miqësore, madje nuk e kursyen ta ngjyenin penën në helm për këtë kryevepër operistike. Përkundër këtij realiteti dhe përballjesh, do të ishte kompozitori i famshëm Hector Berlioz , i cili e vlerësoi maksimalisht këtë kompozim, duke mbajtur të ndezur këtë yll në galaksinë e stuhishëm të Parisit. Megjithëse opera nuk pati ndikim në veprimtarinë krijuese të Bizesë, ajo nuk frenoi as rrugën e tij të suksesit, sikundër nuk ia hoqi të drejtën “Peshkatarët e Perlave” të bëjë pjesë në fondin e artë të veprave operistike.