Pasiguria në aeroportin e Rinasit, rrezikohet incidenti me avionin e pasagjerëve

0

Siguria në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, ka rënë sërish. Një vit e gjysmë nga grabitja spektakolare e makinës se thesarit të një banke të nivelit të dytë në pistën e avionëve, një qytetar ka mundur të thyeje sigurinë dhe të përfundojë përsëri në pistë, duke rrezikuar të shkaktojë një incident me një avion pasagjerësh.

Autori, një 17-vjeçar, preu rrjetën e perimetrit të sigurisë dhe i doli përpara një avioni. Perimetri i jashtëm në këtë portë ruhet nga ushtria, ndërsa siguria brenda rrjetës garantohet nga koncesionari i aeroportit.

6 muaj më pas disa persona të paidentifikuar çanë rrethimin e jashtëm të aeroportit duke i venë edhe njëherë në dyshim masat e sigurisë. Edhe pse Koncesionari që menaxhon Rinasin dhe kompania ICST që menaxhon sigurinë shpesh herë kanë deklaruar se kishin shtuar masat, kjo ngjarje dëshmon se siguria në aeroportin e Rinasit çalon sërish.

Aq pa standarde është niveli i sigurisë, saqë të gjitha pengesat u kaluan pa më të voglin probleme një adoleshent, i cili për fat të mirë nuk kishte qëllime kriminale, por e ndërmori këtë veprim në formë proteste për faktin se nuk lejohej të udhëtonte në Angli. Ai u ndalua vetëm në pistë, pasi i doli avionit përpara.

Në çdo rast të cënimit të sigurisë, koncesionari dhe policia kanë zhvilluar takime për të marrë masa. Është deklaruar se standardet janë rritur, por ngjarjet e njëpasnjëshme tregojnë se Rinasi mbetet ndër aeroportet e fundit përsa i përket sigurisë në rajon edhe pse mban vendin e pare për çmimet e larta./TvKlan/