Ministri Gjiknuri prezanton projektet: Rruga e Arbrit nis në 100 ditët e para

0

Pika me e dobët e qeverisë “Rama 1” ishte mungesa e investimeve në infrastrukturë, pasi gjithë buxheti shkonte për koncesione dhe projektet e rilindjes urbane. Këtë herë qeveria “Rama 2” ka vendosur të ketë prioritet ndërtimin e rrugëve dhe veprave të rëndësishme në infrasturktuë. Për këtë qëllim ministria e infrastrukturës i është besuar Damian Gjiknurit, i cilësuar nga Edi Rama si ministri më i suksesshëm i të gjitha qeverive që ka pasur Partia Socialiste.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri prezantoi sot në Kuvend projektin e dikasterit që ai drejton, duke premtuar realizimin në kohë të disa investimeve. Ministri deklaroi se Rruga e Arbrit do të jetë një premtim i mbajtur. Ai tha se ndërtimi i saj do të nis në 100 ditët e para të qeverisë.

“Brenda 100 ditëshit të parë do kemi ofertën finale dhe kontratën e lidhur për fillimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Skema që kemi zgjedhur, një skemë e qëndrueshme financimi, do të jetë pjesërisht e shtetit dhe pjesa tjetër me investimet private. Ku në fund fare do të paguhet nga qytetarët shqiptarë. Nuk ka asnjë skemë tjetër. Ku keni parë PPP ku përfituesi final të mos paguajë veprën publike. Ka disa projekte të ardhura në Ministri, ka projekte të tjera që presin. Qeveria do të ndjekë shumë stimuj financiarë për automjete më të pastra, nxitja e transportit ekologjik ndaj mjedisit, sistemi inteligjent për transportin, rrethrrotullime, krijimi i by-passeve në rrugët kombëtare dhe zonat rurale”,- tha Ministri.

Gjiknuri shtoi se infrastruktura do të jetë jo vetëm në qendër të zhvillimit, por do të jetë boshti ku të gjitha palët duhet të gjejmë konsensus për të çuar përpara projekte që do të shërbejnë shumë brezave jo kësaj qeverie.

“Që në tre muajt e parë do të ndërhyjmë në mënyrë emergjente në pikat e zeza që janë të njohura për aksidente. Do fillojë kryerja e procesit të ndriçimit, vendosja e sistemit të emergjencës SOS dhe vendosja e sinjalistikës së plotë për çdo aks kombëtar brenda vitit të parë.Autoriteti Rrugor Shqiptar do të ristrukturohet. Do gjejmë mekanizmin e duhur për ti dhënë zgjidhjen e duhur problemit të transportit ndërqytetas dhe rrethqytetas. E ashtëquajtura “policia gri” do të hiqet që në ditët e para nga rruga dhe do të riorganizohen plotësisht Drejtoritë Rajonale”,- tha Ministri Gjiknuri.

Ai shtoi se ndër projektet primarë është integrimi i sistemit rrugor shqiptar në rrjetet ballkanike. “Objektivi afatshkurtër do të jetë sigurimi i zbatimit të marrëveshjes ndërkufitare me Malin e Zi si pjesë e projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, ndërsa ai afatmesëm lidhet me rritjen e efikasitetit të marrëveshjeve të tjera të kufirit.Ndër projektet më prioritare të qeverisë do të jenë autostrada adriatiko-joniane për të cilën do të fillojë menjëherë puna për studimin e fizibilitetit në mënyrë që të bëhet shumë shpejt e financueshme.Do investohet në zgjerimin e aksit Fushë Krujë-Shkodër, aksin Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, by-passin e Tepelenës, Lezhës dhe Tiranës, do investohet në dublimin e aksit Milot-Rrëshen, do përfundojë by-passi i Fierit dhe Vlorës.Do vazhdojë faza intensive për ndërtimin e rrugës së lumit të Vlorës si dhe do të ndërtohet aksi Kardhiq-Delvinë dhe unaza e plotë e Tiranës”,- tha Gjiknuri.

Ministri tha se në këtë mandat do të investohet edhe në rrjetin hekurudhor. “Brenda muajve të parë do të vëmë në funksionim stacionin e përbashkët të Tuzit, me Malin e Zi. Provë e parë e komunikimit ndërhekurudhor me një doganë të vetme. Brenda muajve të parë do përgatisim një masterplan për një sistem transporti të shpejtë hekurudhor për udhëtarë. Hekurudha e shpejtë Tiranë-Rinas, e cila do bëhet realitet në këto katër vite.Do punohet për projektin e lidhjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Do punohet dhe për fizibilitetin e lidhjes hekurudhore me Greqinë”,- tha Gjiknuri.