Meta takohet me Presidentin e Senatit: Italia, partner strategjik i Shqipërisë

0

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso.  Në takimin me Presidentin e Senatit Grasso, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale e të partneritetit të veçantë strategjik dhe u ndal në mënyrë të veçantë tek vullneti i përbashkët për të rritur e zgjeruar më tej bashkëpunimin dhe koordinimit mes ligjëvënësve të të dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes strukturave të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të lëndëve narkotike, për të arritur më shumë rezultate në këtë drejtim.

Presidenti Meta dhe zoti Grasso theksuan se vetëm përmes rritjes së bashkëpunimit, shkëmbimit në kohë të informacionit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mirë-koordinuara mes dy vendeve, por edhe me vende e organizata të tjera partnere, mund të përballohen me sukses këto sfida e kërcëcnime.

Presidenti Meta evidentoi gjithashtu angazhimin e institucioneve shqiptare për reformën në drejtësi si dhe pritshmëritë nga zbatimi i kësaj reforme, si në drejtim të kthimit të besimit tek institucionet e drejtësisë dhe krijimit të një klime të më të mirë për biznesin dhe investitorët e huaj në Shqipëri, në mënyrë të veçantë atyre italianë.

Bashkëpunimi mes dy parlamenteve zuri një vend të rëndësishëm në funksion jo vetëm të shkëmbimit të informacionit mbi zhvillimet politike në dy vendet respektive, por edhe të avancimit të nismave ligjore në dobi të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali që prej viteve 90. Presidenti Meta dhe Zoti Grasso vlerësuan komunitetin arbëresh, trashgiminë e tij historike e kulturore, vecanërisht në kuadër të vitit të Skënderbeut, si një vlerë të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe që kërkon të promovohet në vazhdimësi.

VIZITA ZYRTARE E PRESIDENTIT META NË ITALI:

Presidenti Meta pritet nga Mattarella: Italia mbështet integrimin e Shqipërisë

Vizita në Itali, Meta takon Boldrinin: Forcim i mëtejshëm i marrëdhënieve me Italinë