Dy Shqipnitë e nji Flamuri

0

esse nga Jozef Radi

Asnjiherë s’e kam kuptue si dhe sa duhet pse shqiptarët e vërtetë ndjehen të zemruem me Shqipninë e pavërtetë… dhe pse Shqipninë e Vërtetë s’duen me e pa me sy shqiptarët e pavërtetë!?

Asnjiherë s’ia kam gjetë fillin e hollë këtij (keq)kuptimi sa njerzor e delikat aq djallzor e agresiv; çka e ban kët’ vend malesh t’egra e traditash të lashta, të nënvizuem dukshëm me nji krenari t’epërme ndër kohna, me u mpakë e me u ligshtue, me u tkurrë e me u tukeqë shpesh prej të huejve e ma shumë prej të vetëve; ama, gjithnji në përpjekje me dalë në breg të stuhive që rreken me e trand, me e shplà, me e mbytë e me e zhbì; e gjithnji i detyruem me iu rinisë me nji hov mbinjerzor jetës dhe së arthmes, a thue se krejt të këqijat e mëdha rrëzue mbi fatin e tij, veç për mirë i kanë ardhë, dhe asgja tjetër s’kanë mujtë ma tepër…!?

Gjithnji e ma shpesh ndër heshtitë e mia flatruese, rrekem me ia gjetë kuptimin asaj çka shpesh asht e pakuptim, me ia gjetë rrfanën asaj çka na rrin pezull mbi krye dhe m’bahet e pamundun që ndër kta rreshta t’mos më jetë busull shprehja e atij shqiptari të madh e të pashoq në të djeshme tonë, po edhe në të sotme edhe në të nesërme, gdhendë ndër shkambinjtë e ashpër të kësaj toke, shprehja lapidare: “Shqipërinë e krijoi Zoti, e shpëtuan idealistët dhe do ta vrasin politikanët…”

Kjo figurë e nji drite hyjnore dhe kritike ndërtuese të pashoqe, ky njeri i nji mendjenaltësie vizionare dhe gjeni i nji shkëlqimi të pazakontë e nji kulture mahnitëse, e desh shumë kët vend aq sa u detyrue me i ndejtë larg tij! Shpesh u soll fort ashpër me të, prej asaj ndjenje të trazueme që Ai e quente Atdhe e që gjithnji e ma shpesh i shfaqej si dashni, dhimbje e cinizëm bashkë, si hov dhe dëshpërim, si mall dhe trishtim ndër mërgimet e tija të pafundme… E megjithatë, Ai kurrë s’heshti as s’rreshti së qeni i dobishëm dhe vlerë e patjetërsueme dhe e patjetërsueshme e kombit të vet! Cinizmi i tij prej “buzëholli”, edhe pse fort i ashpër ndër bashkohësa të vet, asnjiherë s’e bani me u ndje i përjashtuem prej shqetësimit panshqiptar, dhe dashnor i përjetshëm i fjalës dhe frymës shqipe…

Kjo shprehje lapidare e tij, m’asht nëpërkambë e s’më ka lanë me hikë ma përtej, e me gjetë të vërtetën e ndryme të kësaj Shqipnie dykrenëshe, që ma së pari e fali Zoti, mandej iu desht shumë mund e hjekë në mbijetesë midis idealistash gjithnji e ma të rralluem. Ata mbetën ma të mëdhenjtë krahasue me shtatin e saj, e cungue prej atyne politikanëve dumrrucë, gjithnji të përfshimë ndër ethe të pragmatizmit e grabitjes së gjithçkaje të mundshme, që kjo tokë (për çudi) i paska pasë kaq të shumta, për kta të përkohshëm të pangijshëm, të pandijshëm e të padijshëm… aq sa me jua e pasë zili edhe vdekja, gryksinë e tyne…

Asht pikërisht ky fakt, kjo e vërtetë trishtuese, kjo ndjesi e kapërthyeme që më shtyn me mendue se ka pasë e ka me pasë gjithherë Dy Shqipni, Dy Shqipni paralele, si dy qè që lodhin njeni-tjetrin, si dy shina që s’puthen kërkund, si dy shemra të vëngërta e anmiqsore mes tyne, si dy krena kryeneçë që s’kthehen së mbari… Njena Shqipni që e jep shpirtin n’shqiptarì, e tjetra që ia grryen gur’t e themelit vedit; njena me plagë në shpirt do me u çue n’kambë, e tjetra tuj ja thithë gjakun s’ndjen së ngopuni; njena e ngulfatun n’legjendë të mbijetesës dhe tjetra tuj u ngrofë n’zjarr të dhimbave të veta; njena me zhgunin dhe sandallet e françeskanit dhe tjetra me frakun dhe llustrafinat e modës ma të fundit; njena Shqipni e përdhunon tjetrën pa mëshirë… e mandej ia mbushë vedit gjoksin me dekorata, nderekombi, çmime e atribute të pakufi, për at mjerim shndërrue n’emblemë… kurse tjetra Shqipni që e pëson të keqen e sqepit të simotrës së flamurit, lufton me mbetë njashtu e paepun, njashtu kryefortë e kryenare, e bindun se asht në të drejtë të Zotit, e në përpjekje me i dhanë sado pak mirësi e vlerë edhe njasaj kresë tjetër, që Zoti e ka dashtë dhe i ka dënue me u valvitë në jetë të jetëve të dyja bashkë…

Pse gjithë ky dualitet Shqipnish?!

Nji Shqipni e fisshme dhe e qytetnueme e Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, po edhe nji Shqipni harbute e dumbabiste e Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit; nji Shqipni e Enver Hoxhës dhe Vasil Shantos që s’do me e pa me sy Shqipninë e Mit’hat Frashërit dhe Lef Nosit; me nji krah ecën Shqipnia e Nexhmije Xhuglinit dhe Fiqirete Sanxhaktarit, n’krahun tjetër rropatet Shqipnia e Nanë Terezës dhe Shote Galicës; Shqipnia e Vinçenc Prennushit dhe Et’hem Haxhiademit si mundet me e pranue n’tavolinë Shqipninë e Dhimitër Shuteriqit dhe Arianit Çelës; Shqipnia e Lenka Çukos dhe Tefta Camit n’jetë të jetëve, s’ka me gëzue asnji respekt prej Shqipnisë së Musine Kokalarit dhe Sabiha Kasimatit; Shqipnia e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit ka me ndje neveri dhe përçmim për Shqipninë e Diana Çulit dhe Koçi Petritit; Shqipnia e Ernest Koliqit dhe e Ali Asllanit kurrë s’ka me i ba temena Shqipnisë së Razi Brahimit dhe Shefqet Musarajt; Shqipnia e Ismail Kadaresë dhe Dritero Agollit dikur ka me u kujtue se ka pasë n’bashkohësi Shqipninë e Kasem Trebeshinës dhe Trifon Xhagjikës; Shqipnia e Mitrush Kutelit dhe Lasgush Poradecit  kurrë s’ka me pasë arsye me u matë me Shqipninë e Fatmir Gjatës dhe Andrea Varfit; Shqipnia akademike Isuf Luzajt dhe e Martin Camaj çka mundet me i shtrue për zgjidhje Shqipnisë akademike të Gudar Beqirajt dhe Myzafer Korkutit; Shqipnia e Eqerem Çabejt dhe Selman Rizës, si mundet me ja hjekë kapelen Shqipnisë së Androkli Kostallarit dhe Emil Lafes; shqiptaria e dashnisë së Ibrahim Rugovës dhe Anton Çetës, kahera ndjen lodhje prej shqiptarisë mllefshume të Adem Demaçit dhe Kapllan Resulit… se Shqipninë e fehmiabdinjve dhe nefzat’haznadarve s’ka me lanë xhap Shqipnia e havzinelëve dhe  samirepishtëve… Shqipnia e përkohshme e muçnanove dhe preçzogajve s’ka me pasë kurrë guxim me e pà drejt e n’sy Shqipninë e përjetëshme të lekpervizëve dhe e padërmeshkallëve; dhe kështu siç ka ardhë, kështu edhe ka me vazhdue ndoshta edhe ma gjatë kjo përballje e pafund e dy Shqipnive: asaj idealistes dhe të sakrifikuemes, me atë pragmatisten dhe mishngranësen…

Pse Shqipnia e Flamurit me Zhgabën Dykrenëshe s’ka qenë kurrë e vogël dhe as ka me u ba kurrë e tillë; dhe as ka qenë e Madhe as ka me pasë kurrë dëshirë me u shty ndër tjerë, ma së shumti sot ajo ndjehet e zvoglueme dhe e tkurrun prej njatyne mendjeve të mbrapshta që e kanë projektue thjesht si çiflig të marrisë së tyne, po kjo hyn tashma në të përkohshmen e saj të kapërcyeshme, në përgjunjen e saj të siziftë drejt naltësive… dhe asgja ma shumë…

 

Pse asht nji Shqipni që vret pamëshirë gjithkah e gjithkend… shfaqet Shqipnia tjetër që edhe pse e vrame dhe e sakatueme ngjit në pidestal dhimbjen… pse asht nji Shqipni që e gjykon nderin si krim dhe i thur hymne terrorit, shfaqet ajo tjetra që vërtet i stepet së keqes, po veç me gjetë distancën e duhun e me lshue gurin e Davidit; pse asht nji Shqipni e lodhun së keqeje, e radhueme së vrami, e sfilitun së përjashtuemi, mbijeton tjetra e paepun drite, e bulzueme shprese, e gatitun me u ringjallë… dy Shqipni që i rrijnë vedit përballë…

Shqipnia e Flamurit, në dukje asht Shqipni simetrike, ku njaq bukur përputhen dy gjysat e saj. Te kjo Shqipni dy gjysash simetrike, që jo vengër e shofin njena tjetrën, po shumë ma përtej, duhet kërkue e duhet gjetë Shqipnia e simetrisë së paqme e të mirkuptueshme, Shqipnia e dashnisë, e cila domosdoshmënisht duhet me u shfaqë sa ma shpejt dhe sa ma fuqishëm ndër krejt ata që ndjehen krenar pse fati u qëlloi me qenë shqiptarë!!

nandor 2015 – shtator 2017