Ish-Presidenti, Nishani: Zgjedhja e Ruçit në krye të Kuvendit, provokim radikal nga Rama

Ish-presidenti Bujar Nishani e ka cilësuar provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama emërimin e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit shqiptar.

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në “News24” Nishani pohoi se emërimi i Ruçit në këtë post është vendim politik i Ramës, duke e perifrazuar disa herë si ‘provokim radikal nga Rama’.

“Rama me këtë qëndrim ka bërë një provokim radikal dhe kërkon një përgjigje radikal. Ne kemi nevojë të kryejmë lustracionin të të gjithë njerëzve. Për sa kohë ne jemi në ketë status unë mendoj se këta njerëz nuk duhet të vendosen në institucione”, tha Nishani.

Mes të tjerash Nishani tha se ka bindjen e tij se pse Rama ka marrë këtë vendim. “Parlamenti dominohet nga qeveria, pjesë e maxhorancës. Nuk duhet të ishte kështu. Nuk ka dominim nga ana e qeverisë tek opozita. Kryetari i Kuvendit duhet të negociojë dhe vendimi politik është i zotit Rama, për të sjellë në vëmendje që ka votuar formatin e zotit Ruçi, përbën provokim radikal. Unë kam bindjen time pse e ka bërë”, pohoi ai.

Pse e quani provokim?
Është provokim i memories së shqiptareve. Sot ka ende njerëz të humbur dhe të ekzekutuar. Unë fola për mekanizmin ku Ruci ka qene pjesë e Sigurimit të Shtetit. Do ishte gabim nëse ne i ngarkojmë të gjitha të zezat e një sistemi një personi. Ne flasim për një proces të mungesës së gjykimit të veprimtarisë kriminale të këtij mekanizmi. Mos harrojmë se kemi pasur deri në vitin 1990 ekzekutime të të rinjve. Ai ka qene pjesë e mekanizmit dhe në gjykimin tim në këtë pozicion është i papërshtatshëm. Parlamenti shqiptar është i niveleve të larta. Ruci do shkojë në Asamblenë e BE dhe në Parlamentin evropian, çfarë do ju thotë atyre? Nuk është çështja vetëm e simbolikës, por e sjelljes së politikës.

A do rikthehet në politikë Bujar Nishani? 

Pas drejtoi për 5 vite Shtetin shqiptar, ish-presidenti Bujar Nishani ka paralajmëruar rikthim në politikën aktive në vend.

Ish-presidenti theksoi se ai është pjesë e politikës, ndërsa pohoi se ka qenë dhe do të jetë pjesë e PD-së. Mes të tjerash ai përjashtoi mundësinë e krijimit të ndonjë partie më vete.

Për 5 vite me radhë jeni mësuar të ngjisni shkallët e Presidencës, si ndiheni tani?
Padyshim kur heq nga shpatullat një peshë të rëndë siç është ajo e Presidencës, që mbart sfida dhe përgjegjësi dhe në fund kur sheh që këto sfida të paktën në gjykimin tënd që kanë kaluar në mënyrë korrekte dhe të përgjegjshme, ndihesh mirë. Nga ana tjetër e ndjen vetën edhe më të motivuar.

Në këto 5 vite nuk jeni marrë me politikë aktive, a ia keni ndjerë mungesën?
Njerëzit që përfshihen në politikën aktivë, e përjetojnë debatin politik, sfidën që ka politika e ditës. Politika ka një diapazon shumë të gjerë, pasi aty përfshihen që nga hallet e individëve, dhe veprimtaritë e shtetit. Në disa aspekte në pozicionin e kryetarit të shtetit ka angazhime të mëdha.

Do riktheheni në politikën aktive?
Në politikë aktive çdo njeri e ka të mundur të jetë prezent, qoftë në formë individuale. Unë e kam vendin në politikë, nuk mund t’i shmangem përsa kohë që në gjithë këtë karrierë të gjatë jam motivuar dhe jam rritur, maturuar duke qenë pjesë.