“Delikatesa” e kryeministrit

0
Kryeministri Edi Rama, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte ku eshte diskutuar per dy nismat ligjore te propozuara nga Partia Demokratike per amendamentet per ndryshimin e ligjit te dekriminalizimit dhe te ligjit per funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. /r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, speaks during a parliamentary session.

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Në dy seanca të zhvilluara në Kuvend, kryeministri shpjegoi atë që quajti projektin më ambicioz për Shqipërinë e gjeneratës së re.

Në krahasim me fjalimin e 4 viteve më parë, risia këtë herë është se kryeministri Rama nuk kërcënoi. Nuk përdori shprehjen e famshme “nuk keni parë gjë akoma” dhe nuk provokoi me batutat e zakonshme kundërshtarët politikë. Ndryshe nga katër vite më parë, pjesa kryesore e fjalimit ishte mbi dobinë e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë. Ai ftoi opozitën për të miratuar nismat dhe ligjet, duke deklaruar se “gjërat që i bashkojnë janë më shumë se ato që i ndajnë”. Kryeministri ishte më i matur në qëndrimet ndaj opozitës dhe i kishte zgjedhur me kujdes fjalët për PD dhe LSI duke mos i quajtur as kundërshtarë, por vetëm rivalë.

Dashamirësia ndaj opozitës, kryesisht PD, ishte e vetmja risi e programit qeverisës. Pjesa tjetër e projektit “Rama 2”, me disa ndryshime, ishte vazhdim i premtimeve të qeverisë “Rama 1”. Kryeministri premtoi se do të niste një aksion të ri kundër informalitetit të biznesit. Kujtojmë që në mandatin e parë pati dy aksione të fuqishme me gjoba dhe polici tatimore. Sikur të mos mjaftonin dy të parët, i treti do të nis brenda tre muajve të parë qeverisës. Më shumë duket si një fushatë mbledhje taksash sesa projekt konkret, për sa kohë që ende nuk janë para produktet e dy aksioneve të para.

Vazhdim i premtimeve të qeverisë së kaluar është dhe shëndetësia. Edhe pse 4 vitet e fundit gjithë buxheti shkoi për koncesionet në shëndetësi, kryeministri theksoi se sërish do të investohet në këtë sektor. Fjala shëndetësi falas nuk u përdor këtë herë edhe pse ishte një premtim i pambajtur i mandatit të parë. Dhe bëri mirë, kryeministri. Me sa duket e ka të qartë se mbetet një detyrë e vështirë kjo e shendetsisë.

Sektorët e tjerë ku do të hidhen paratë e buxhetit të shtetit janë infrastruktura dhe arsimit. Edhe në mandatin e parë qeverisës, Partia Socialiste premtoi investime të mëdha në rrugë. Fakti është se nuk u bë asnjë projekt autostrade. Madje janë pa mbyllur ende projektet që la në mes për shkak të borxheve qeveria e Sali Berishës.

Shpresohet këtë mandat mund të hap thesin e buxhetit për disa autostrada, siç thotë për në Veri të vendit. Fakti që ia bashkëngjiti ministrisë së energjitikës, edhe dikasterin e transportëve dhe caktoi Damian Gjiknurin, mundet që kryeministri të ketë ca plane për investime të mëdha. Mandatin që kaloi nuk e hapi qesen e qeverisë edhe për faktin se kishte ministër nga LSI. Ashtu si në mandatin e parë, baza e realizimit të projekteve do të jenë koncesionet e njohura me emrin Partneriteti Publik Privat (PPP). Ky model është më i kritikuari gjatë qeverisjes së mandatit të parë. Nga ekspertët ekonomikë është cilësuar si një “vjedhje e rafinuar” e taksave dhe financave të shtetit. Opozita e quan formë korrupsioni modern dhe mënyrën për tu dhënë qoka klientëve të qeverisë. Por për Kryeministrin kjo është mënyra e vetme për të investuar dhe do të jetë sërish modeli që do të përdorë.

 Ashtu siç ndodh në fjalimet e kryeministrit edhe këtë herë në dokumentin më të rëndësishëm qeverisës mungojnë shifrat. Dhe e bën kastile e jo siç mund ta akuzojnë për aritmetikë të gabuar. Edi Rama është mjeshtër politik. Luan me fjalën, po mjeshtërisht, por kur vjen fjala të shifrat u ikën si djalli temjanit. Po e tha shifrën, do ti duhet ta mbajë. Ndaj i ikën me fjalë, të cilat i sajon bukur. Njërëzit duan shifrat. Kryeministri u ikën me marifet.

Një tjetër premtim i vjetër i sjellë si i ri në program është reforma në drejtësi. Kryeministri u zotua se do të zbatojë reformën në drejtësi. Në fakt qeveria nuk ka me punë me reformën dhe nuk mund të llogaritet më si premtim. Reforma u miratua legjislaturën e kaluar nga të gjitha partitë dhe pas miratimin të disa ligjeve formale në Kuvend, pjesa tjetër e reformës ka të bëjë me Prokurorinë Speciale, gjykatat dhe punën e drejtësisë. Qeveria e PS nuk mund të bëjë më reformën, përkundrazi reforma mund të ketë “punë” me qeverinë dhe pushtetin. Edhe do ketë realisht, pasi sipas disa informacionëve të besueshme një ish-ministër dhe një ministër aktual do jenë pre e SPAK-ut, i cili momentalisht është supërministër.

Pjesa tjetër e programit qeverisës lidhej me politikën e jashtme. Pas 4 vitesh qeveria e PS e sheh veten të futur në sherr me Greqinë, marrëdhënie inekzistente me Kroacinë dhe dashuri vëllazërore me Serbinë. Premtimi i Ramës ishte sërish i vjetër duke deklaruar politikën e “zero probleme me fqinjët”. Për të disatën herë Kryeministri vendosi të provojë Brukselin duke deklaruar se integrimi i vendit nuk varet më nga Tirana. Kryeministri tha se Shqipëria i ka bërë detyrat, por është BE-ja ajo që ka ndryshuar rregullat e lojës. Edhe ky qëndrim tashmë po kthehet në standardin e Partisë Socialiste. Justifikimi për mos integrimin është se ne i kemi bërë reformat, por në Bruksel nuk na duan. Në këtë pikë ka të drejtë kryeministri. BE ka problemet e saj dhe anashkalon Ballkanin Perendimor me artifica të pabesueshme. Përherë do sajojë nga një gjë Brukseli, por nuk thotë se zjarri u ka rënë në BE mes njeri tjetrit, pra që nuk janë gati vetë në Bruksel për pranime të reja.

E reja e fjalimit të kryeministrit dje ishte delikatesa, finesa dhe urtësia me të cilën foli. E luajti bukur këtë pjesë, ndryshe kur para katër viteve ishte me i dhunshëm në fjalimin e prezantimit të programit qeverisës. Edi Rama ndjehet i sigurtë dhe prandaj manifestonte qetësi, se është i sigurtë se marrëveshja me Lulzim Bashën vazhdon. Opozita PD dhe LSI nuk duken të bashkuar. “Përça e sundo!”- motoja e qeverisë së re.

E pse të xhindoset kryeministri?!

S.Prulli