Policia kontrollon ‘të fortët’ e Tiranës me makina të shtrenjta (VIDEO)

Policia ka nisur kontrolle të befasishme në Tiranë, për të gjithë ata persona që lëvizin me makina të shtrenjta.

Siç mund të dallohet nga kjo video e Policisë, uniformat Blu kontrollojnë të gjitha makinat e shtrenjta në kryeqytet, si dhe personat që i kanë në pronësi ato.
Policia bën me dije se janë shoqëruar 23 persona për verifikim, si dhe është gjetur një pistoletë.

Gjithashtu janë bllokuar disa makina të shtrenjta të cilat mendohet se mund të jenë të vjedhura në vendet e Bashkimit Europian.

Këtyre makinave do t’ju verifikohet numri i shasisë.

Policia e Tiranës thotë se kontrollet do të vijojnë, ku në fokus do të jenë makinat e shtrenjta.

Gjithashtu kontrollet do të shtohen edhe ditën e hënë pranë shkollave, ku mendohet se lëvizin një pjesë e të rinjve me makina të shtrenjta, por që janë të vjedhura.

Nga video e Policisë bie në sy se shumica e këtyre personave që drejtojnë makina të shtrenjta, janë të rinj.

Pak ditë më parë Policia ka sekuestruar 17 makina luksoze të cilat ishin vjedhur në vendet e BE-së, por që duke ndryshuar numrin e shasisë, kishin marrë targa shqiptare.

Njoftimi i plotë i policisë:
Tiranë,
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Policia e Tiranës Plan Masash për rritjen e parametrave të sigurisë.
Kontrolle të befasishme në të gjithë territorin e qarkut Tiranë.
Kontrollet nga Forca e Operacioneve speciale dhe Shqiponjat në D.V.P.Tiranë.
Kontrolle për evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, të atyre me makina të blinduara, të personave të shpallur në kërkim, të personave me precedent kriminal etj.
Gjatë kontrolleve të ushtruara janë shoqëruar në ambjentet e Policisë Tiranë, 23 shtetas për verifikim.
Janë kontrolluar dhjetëra makina luksoze.
Është sekuestruar një pistoletë neutralizuese.
Janë shoqëruar në pikë bllokimi disa automjete për verifikim të mëtejshëm të numrit të shasisë.
Kontrollet do të vijonë në orë të ndryshme.
Duke filluar nga data 11 shtator këto kontrolle do të shtrihen edhe në afërsi të shkollave.