Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kadri Veselin, kryetar të këtij institucioni. Zgjedhja e Veselit në postin e kryekuvendarit, ka pasuar negociatat e gjata politike ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, fillimisht me Aleancën Kosova e Re dhe në fund me pakicat.

Seanca e sotme, ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për Veselin kanë votuar 62 deputetë, kundër 52, ndërkaq nuk kishte abstenime.

Pas zgjedhjes së kryetarit, deputetët kanë votuar edhe tre nënkryetarët e rinj, të cilët përbëjnë Kryesinë e re të Kuvendit.

Nënkryetarë janë zgjedhur, Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse te komunitetet jo shumicë, deputetët serbë dhe ata jo serbë kanë propozuar dy nënkryetarë. Nga Lista Serbë, është propozuar Sllavko Simiq, kurse nga komunitetet jo serbe Myfera Shinik. Megjithatë, votimi nuk solli zgjedhjen e tyre, ngase morën vetëm 59 vota.

Problemi me zgjedhjen e tyre e detyroi kryesuesin, Adem Mikullovci që të shpallë edhe një pauzë.

Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Bazuar Kushtetutën e Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas procedurave, Haradinaj duhet të merr bekimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë.

Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për Qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës kohore prej 15 ditëve.