20 vite pa shenjtoren Nënë Tereza

Sot mbushen 20 vite kur në Kalkuta të Indisë në moshën 87-vjeçare murgesha katolike shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe tashmë edhe shenjtore, u nda nga jeta. Përpjekjet e palodhura të Shën Terezës, në interes të paqes botërore, i sollën asaj një numër të rëndësishëm vlerësimesh humanitare, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979.

Ajo shprehej se këto shpërblime do të kishin vlerë vetëm nëse ato e mundësonin atë të ndihmonte nevojtarët e botës. “Të lutemi bashke dhe të qëndrojmë bashkë, dhe nëse qëndrojmë bashkë, ne do të duam njëri tjetrin si vetë Zoti iu do juve”,-thoshte Shën Tereza.

Murgesha e vogël me zemrën e madhe punoi pa u lodhur deri në fund, pavarësisht sëmundjes në vitet e fundit. Mesazhi i dashurisë dhe i shpresës i Shën Terezës u përhap në miliona njerëz. Ai është një mesazh që ajo u lut të mos mbaronte, kur ajo të mos ishte më në këtë jetë.