“Është gjaku i grave të vrara” (FOTO)

Një marshim në emër të grave të vrara mblodhi bashkë në bulevardet kryesore të Tiranës qytetarë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Të veshur me bluza të zeza, veprimtarët e nisën marshimin tek Ministria e Drejtësisë për të përfunduar drejt Parlamentit.

Aktivistët hodhën bojë të kuqe tek muri i Ministrisë së Drejtësisë, si simbol i “gjakut të grave të vrara”. Qëllimi ishte të japin një mesazh tronditës, si vrasjet mizore të grave shqiptare kohëve të fundit që, ndonëse kanë tronditur mbarë opinionin, mediatizimi i tyre nuk ka mjaftuar për të parandaluar vrasje të tjera.

Së fundmi, gjyqtarja Fildes Hafizi u vra nga ish-bashkëshorti, edhe pse ai kishte tentuar ta vriste më parë dhe Hafizi kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Sigurisht, nuk është rasti i vetëm i një gruaje të vrarë në Shqipëri.