Ç’pritet të bëjë Trump me Ballkanin?

Nga Cameron Munter*

Në gjashtë muajt e parë të administratës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, pesë sfida të politikës së jashtme kanë dominuar skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Roli i zgjeruar ekonomik dhe ushtarak i Kinës, marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me Evropën dhe Lindjen e Mesme, luftërat në vazhdim në Afganistan dhe Siri, kërcënimet që rrjedhin nga Koreja e Veriut dhe Venezuela dhe e ardhmja e Evropës, mes lëvizjeve populiste në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francës që tashmë kërkon të zërë vend mes politikëbërësve botërorë.

Përmes gjithë kësaj, ka qenë e lehtë të harrohet se, jo shumë kohë më parë, pjesa më e madhe e vëmendjes së botës, ishte përqëndruar në Ballkan. Ndërkohë që lufta shpërthente në kufijtë e Evropës, shumë prej tyre kishin frikë se paqëndrueshmëria do të shkaktonte një konflikt më të gjerë. Luftimet e tmerrshme dhe jetët e sakrifikuara, veçanërisht në Bosnje (1992-1995) dhe Kosovë (në vitin 1999), shkatërruan dekada të tëra arritjesh në të gjithë rajonin. Dhe Olimpiada e Sarajevës e vitit 1984 – një simbol i paqes dhe bashkëpunimit botëror – dukej një kujtim i largët.

Sot, luftërat që i dhanë fund Jugosllavisë, janë duke u zbehur nga vëmendja. Akti i fundit i madh i dhunës në rajon – djegia e Ambasadës të SHBA-së në Beograd në vitin 2008, një ngjarje që unë e kujtoj fare mirë, për shkak se shërbeja si ambasador amerikan në atë kohë – ka ndodhur gati një dekadë më parë. Në vitet që pasuan, sfidat e Ballkanit janë larguar nga faqet e para, ashtu sikurse dhe nga mendja e shumicës së liderëve me një rol në rajon.

E megjithatë, shumë nga problemet themelore që shqetësojnë Ballkanin, janë ende të pazgjidhura. Marrëveshjet e Dejtonit që i dhanë fund luftës në Bosnjë në vitin 1995, ofrojnë një strukturë të keqe dhe shpesh jofunksionale vetëqeverisjeje. Serbia dhe Kosova ende nuk janë pajtuar, një hap i nevojshëm, nëse të dyja duan që të arrijnë qëllimin e vetëshpallur, të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sfidat e brendshme vazhdojnë ende në Maqedoni dhe në Kroacinë anëtare të BE-së. Dhe në ndërkohë, më të mirët dhe më të zgjuarit e rajonit po janë vënë në kërkim të mundësive gjetkë. Potenciali i madh i rajonit për zhvillim ekonomik, që nga turizmi, deri tek inovacioni dhe teknologjia e informacionit, po eksplorohet shumë pak.

Padyshim, problemet gjeopolitike dhe tensionet etnike po ziejnë dhe po i afrohen sipërfaqes edhe një herë në Ballkan – për rrezikun potencial të rajonit. Pyetja është, a do ta vërejnë udhëheqësit perëndimorë dhe të ndërhyjnë në kohë?

Të etur për ndihmë ekonomike

Lajm i mirë është se ka shpresë për përparim, dhe në këtë rast, ajo fillon me ekonominë. Ballkani Perëndimor ka nevojë për mbështetje ekonomike, siç u bë e qartë në një takim të fundit të anëtarëve të Procesit të Berlinit në Trieste, i cili u përqendrua në integrimin ekonomik rajonal. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka në plan të kanalizojë 48 milionë euro (rreth 57 milionë dollarë) në mundësi të reja financimi në sektorin privat, që do të promovojnë projektet e ndërlidhjes, të mbështesin zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe të rrisin bashkëpunimin ekonomik rajonal. Këto përpjekje synojnë të krijojnë një kornizë, e cila mund të çojë në një bashkëpunim më të thellë dhe larg nga politikat e lypjes së fqinjit, nga vendet që konkurrojnë për të përftuar financime prej Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ka pasur shumë raste të liderëve të biznesit, të cilët nuk kanë lejuar që kufijtë t’ua pengojnë punën, duke çuar gjithmonë përpara përpjekjet për bashkëpunim më të ngushtë.

Edhe palët e jashtme po lënë shenja në ekonomitë e rajonit. Kina, për shembull, ka treguar interes të madh për të investuar në infrastrukturën e Ballkanit, si pjesë e Iniciativës “Belt and Road” – një program ambicioz dhe shumëkombësh, që është bërë prioritet i politikës së Pekinit. Kina tashmë ka patur një ndikim të dukshëm në disa projekte në rajon, duke përfshirë një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidh Beogradin dhe Budapestin; Autostrada e Adriatikut, e cila do të lidhë Shqipërinë, Malin e Zi dhe anëtarët e BE, Greqinë dhe Italinë; Dhe portin e Pireut, të cilin një kompani kineze e ka blerë për të krijuar një rrugë detare, nga Greqia, përmes Ballkanit Perëndimor, në tregjet e BE-së.

Zgjidhja fillon në shtëpi

Por tani, më shumë se kurrë, Ballkani është i interesuar të angazhohet më ngushtë me Perëndimin, për të ndihmuar në adresimin e problemeve të rajonit. Udhëheqësit evropianë, më së shumti Gjermania, vazhdojnë ta vështrojnë rajonin, ndërkohë që Rusia ruan praninë e saj – për habinë e disa vëzhguesve – në sektorin energjetik të Serbisë. Pavarësisht nga marrëdhëniet e veta shpesh herë të vështira me rajonin, Shtetet e Bashkuara do të duhet të fuqizojnë edhe një herë praninë e tyre. Në fund të fundit, Uashingtoni ka interesa të konsiderueshëm në Ballkan, veçanërisht në Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO, si edhe në investimet e huaja direkte. (Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Shtetet e Bashkuara investuan 147 milion dollarë në Ballkanin Perëndimor nga viti 2003 deri në vitin 2012.) Për më tepër, është po aq e rëndësishme që popujt e Ballkanit të kenë një vetëdijësim të qartë dhe të saktë, të pasojave të rritjes së influencës së Kinës, e cila do të jetë aktive në rajon për vitet që do të vijnë.

Kjo nuk do të thotë që aktorët e huaj janë zgjidhja e problemeve të rajonit. Përkundrazi, është e rëndësishme që jo vetëm qeveritë, por edhe aktorët kryesorë shoqërorë në Ballkan – nga bizneset tek universitetet, e deri tek organizatat joqeveritare – të punojnë me forca të jashtme për të ndihmuar në formësimin e të ardhmes së rajonit. Zgjidhja fillon nga brenda.

Në të vërtetë, disa masa shpresëdhënëse mund të merren, nga fakti se Beogradi dhe Prishtina kanë hapur një dialog për të lehtësuar tensionet midis tyre. Ndërkohë, qeveria e re e Maqedonisë, e cila erdhi në pushtet në qershor, tashmë ka bërë hapa të mëdhenj përpara, në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët e vet, duke adresuar zgjidhjet e mundshme për një mosmarrëveshje me Greqinë lidhur me njohjen e emrit të Maqedonisë; duke premtuar rritjen e bashkëpunimit midis Shkupit dhe Tiranës; dhe, pas dy dekadave bisedime, duke nënshkruar një traktat miqësie me Bullgarinë.

Megjithatë, ky progres do të duhet të përshpejtohet, pasi zhvillimet e tjera problematike, duke përfshirë prurjet e mëdha të emigrantëve në rajon nga Afrika dhe Lindja e Mesme, përkeqësojnë rritjen e zërave nacionalistë myslimanë, kroatë dhe serbë, që mbështesin pakënaqësinë etnike dhe sociale. Ballkani Perëndimor do të përballojë më mirë këto sfida vetëm me ndihmë nga pjesa tjetër e botës.

Ballkani ende mund të provojë të jetë një histori surprizuese suksesi në vitet e ardhshme. Por, ndërsa rajoni largohet përtej vëmendjes së udhëheqësve globalë, shanset e tij për t’u zhytur në paqëndrueshmërinë e së kaluarës së vet, do të rriten nëse bota do të vazhdojë të rrijë e të vështrojë. / *Autori ka qene ambasador i ShBA ne Beograd, shkruar pert Stratfor – Bota.al