Lindita Nikolla kërkon takim me Lulzim Bashën: Të uroj suksese por…

Pas riemërimit si ministre e Arsimit, Lindita Nikolla në reagim e parë pas shpalljes së qeverisë “Rama 2”, ka kërkuar takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ky takim është kërkuar nga Nikolla pas akuzave të kreut Basha, për radhët e gjata për blerjen e teksteve shkollore dhe çmimet e tyre. Në një koment në facebook, ministrja e riemëruar, i kujton Bashës se që prej 3 muajsh Ministrinë e Arsimit e ka drejtuar ministrja teknike e opozitës.

Nikolla shkruan se sapo të marrë përsëri detyrën e ministres së Arsimit pas disa ditësh, do të kërkojë takim me Lulzim Bashën për të dëgjuar propozimet e tij dhe të Partisë Demokratike për sistemin arsimor.

Në fund, Nikolla e uron Bashën për detyrën si kryetar, edhe për katër vite. “Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme”.

Statusi në Facebook i Lindita Nikollës:

Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!

Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.

Prandaj po jua bëj me dije. Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.

Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.

Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.