Pse erdhën senatorët amerikanë?

Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në Ballkan, falë edhe pozicionit gjeografik. E jo vetëm si anëtare e NATO-s. SHBA, që me lindjen e shtetit shqiptar, ka qenë partnere strategjike e Shqipërisë. Pa Amerikën vendi ynë do të ishte një vend më i copëtuar se sa e nxori Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 në Londër. Pa Amerikën nuk rrëzohej komunizmi, edhe në Shqipëri. Pa Amerikën nuk çlirohej as Kosova, që u bë shtet i pavarur, por mbetet pjesë shpirtërore e trungut kombëtar shqiptar.

Mund të rreshtonim shumë fakte të tjera, ashtu sikurse edhe sondazhet popullore tregojnë diku mbi 94 përqind e popullsisë mbetet proamerikane. Natyrisht edhe në Shqipëri ka qeliza të vogla islamike dhe grupe të krimit të organizuar, të cilat mundohen të përhapin ndjenja antiamerikane, por politika shqiptare ka qenë në unison në raport me SHBA. Kushdo që të jetë në pushtet në Tiranë nuk ka asnjë ndryshim kursi në raport me Uashingtonin zyrtar. Por ardhja e katër senatorëve të nderuar amerikanë, të cilët nuk erdhën për të bërë plazh apo vizituar si turistë Shqipërinë. As për të parë për investimet amerikane në Shqipëri.

Ata u pritën nga Presidenti i Republikës Ilir Meta kurse nga partia kryesore në pushtet i takuan zyrtarë të nivelit të dytë. Edhe nga opozita kishte nivel pritje të rangut të dytë. Vizita e katër senatorëve amerikanë ishte e planifikuar zyrtarisht, ata nuk erdhën papritur në Rinas. Ndaj të bën përshtypje se kryeministri dhe lideri i opozitës nuk ndërprenë pushimet, edhe sikur jashtë shtetit të ndodhen, pasi flitet për katër senatorë amerikanë. Duhej ti takonin, pasi janë nivel i lartë politik dhe kishin ardhur për disa gjëra shumë të rëndësishme. Sipas ambasadës amerikane, takimet kanë pasur në fokus qëllimin për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit.

“Një delegacion me katër senatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi sot Shqipërinë për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit. Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis u takuan me Presidentin Ilir Meta, zyrtarë të Qeverisë, dhe drejtues të Partisë Demokratike, për të nënvizuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kryesore, përfshirë reformën në drejtësi”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

E ku ka bisedime më me rëndësi se sa agjenda e tyre mbi partneritetin SHBA-Shqipëri? Si mundet që Edi Rama dhe Lulzim Basha ta neglizhojnë një vizitë diplomatike të këtij niveli, aq më tepër kur flitet edhe për emra senatorësh të nderuar në Amerikë dhe politikbërës. Nëse nuk e kanë neglizhuar kryetari i PS dhe kryetari i PD këtë takim në Tiranë, që zor se besohet se mund të kenë guxim ta bëjnë një veprim të tillë, atëhere tregon se asnjeri prej të dyve nuk janë në Shqipëri me pushime, por jashtë shtetit. Çfarë i kushtonte kryeministrit Rama, nëse ndodhet vertet në vend, që t’i takonte? Njoftimi i ambasadës amerikane thoshte se u takuan me Presidentin Meta dhe “zyrtarë të qeverisë dhe drejtues të PD”. Nëse do ti kishte takuar kryeministri lajmi do kishte marrë dhenë nga vetë mediat e kryeministrit.

Senatorët kanë ardhur për një shqetsim. Nuk kishin pse vinin në mes të gushtit, nëse gjërat ecin normalisht. Shqetsimi mbetet, sikurse njofton edhe ambasada amerikane në Tiranë; terrorizmi, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi. Sidomos këto dy të fundit janë jetike për vendin tonë, sepse e para, terrorizmi, nuk ka hapësirë në Shqipëri. Krimi i organizuar është kryesori. Krimi bëhet më i rrezikshëm kur ka pas vetes edhe segmente shtetrore.  Realisht, krimi ka suport politik në Shqipëri, ndaj kjo e bën më jetike zbatimin e reformës në drejtësi.

Senatorët amerikanë erdhën. Takuan, mbajtën shënime dhe ikën. Por politika shqiptare duhet të jetë korrekte me popullin shqiptar e natyrisht edhe me amerikanët. Nëse popullin shqiptar, politika, e ka gënjyer e mashtruar, ndërsa me amerikanët nuk mund të guxohet. Ata nuk falin. Dhe bëjnë mirë, ndaj janë supërshtet që drejtojnë botën.

Publiku ka nevojë për tu informuar se pse Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk i takuan senatorët amerikanë. Apo janë me pushime jashtë vendit dhe na bëjnë moral në facebook për bukuritë shqiptare!

Mund të kenë ardhur edhe për lideren e opozitës iraniane në Tiranë,Marjam Rajavi. Por edhe nëse, prapë kryeministri i vendit i pret, sepse edhe muxhahedinët janë territor shqiptar.

N.L.