Zjarre, plazh dhe pazar-politika

Verë e nxehtë, si mos më keq. Plazhe me çmime të larta dhe akoma pa shumë kulturë turizmi. Dhe politikë, tamam për dreq.

Kjo është tabloja e këtij fillimgushti: krejt vendi ka zjarre, tym, dhe luftë me mjete primitive në kohët moderne të luftës kundër zjarrit. Asnjë qeveri në këto dekada nuk ka menduar të rinovojë infrastrukturën e luftës kundër zjarrit. Të gjitha qeveritë kanë synuar të punësojnë militantët e tyre në këto shërbime zjarrfikëse, ndonëse nuk kishin makina! Natyrisht që ka zjarrfikës heronjë, por pa mjete moderne çfarë mund të bëjnë. E shikuat edhe dje kryeministrin Rama që nxori në foto, në profilin e tij në facebook, dy femra të reja, ushtarake, heroina në të vertetë, të cilat fikin  zjarrin me lopata! Ku ka në botë që zjarri fiket vetëm me lopatë?! Edhe lopata hyn në punë, por mjetet kryesore si makina, avionë apo helikopterë që fikin ujin, nuk ka. Ato pritën të vijnë nga Italia e Greqia dhe për dreq harxhohen qindra milionë euro për rregullime fasadash apo qendra qytetesh, ndërkohë që me një pjesë të vogël të këtyre fondeve mund të bliheshin avionë dhe mjetet e duhura për luftën kundër zjarrit.

Ndërkohë që flakët përpijnë gjithçka, në det njërëzit pushojnë, drekojnë, darkojnë, lahen, shajnë për shërbimin mizerabël, çmimet e larta, motorat e ujit  duken sikur flakërojnë nga shpejtësia e tyre mbi kokat e plazhistëve, dhe turistë të huaj që disa dehen nga bregdeti ynë, kurse të tjera shajnë dhe ikin nga plehrat dhe garipat që pushtojnë hotelet dhe bregun, sikur e kanë çliruar me baballarët e tyre.

Nga bregdeti kryeministri drejton punët, shtetin, zjarret dhe pazaret me një pjesë të opozitës. E kundron detin dhe mendon për popullin!

Paralel me zjarret, detin,  vlojnë polemikat në politikë. A duhet të ikin ministrat e Bashës nga qeveria e Ramës? Të gjithë thonë duhet të japin dorëheqjen edhe si shenjë e reagimit për votat e blera nga PS, siç thotë vetë PD, por edhe si një shenjë dinjiteti, ndërkohë që kryeministri Rama as që i mbledhë, as ua var. Më pak fjalë, as që i pjerdhë fare! Atëhere pse rrijnë në qeveri? Lulzim Basha vazhdon pushimet në Hollandë, thonë. Fakti është se nuk është dukur akoma në Atdhe se çfarë ngjyre lekure ka marrë nga dielli; të zezë, të kuqe apo hiç fare i bardhë.

Edi Rama projekton qeverinë e re. Përreth tij flasin për natën e 18 majit se i ka pëlqyer shumë “flirtimi” dhe e don ta vazhdojë. Të tjerë thonë se e do një herë në vit këtë flirtim. Në selinë e PD-së janë të turullosur, paksa nga vera e shumë nga zgjedhjet, por edhe nga mungesa e eurove. Do jenë në opozitë të gjatë dhe paratë e pushtetit të para vitit 2013 sikur u janë mbaruar. Themi për zyrtarët e nivelit të ulët. Ata që kanë qenë ish-ministra rezistojnë, të paktën edhe 10 vite të tjera në opozitë. Kanë menduar për kohë të vështira, por habiten se nuk e kishin menduar me shumë se tetë vjet në opozitë.

Mbi të gjithë dhe i merakosur për popullin është kryeministri. Rri buzë detit, mendon, futet në vilën qeveritare, shkruan, ngrihet, futet në ujë, del prapë dhe thonë se nuk ha as bukë. I shqetsuar për zjarret, verën e nxehtë, njërëzit pa ujë, pa bukë, pa punë.

Dhe si për tu qartësuar futet e lahet në det. Me këtë rast lan edhe ndonjë gjynah qeverisje.

Verë e nxehtë!

S.P.