Zyrtari i lartë i qeverisë për emergjencat: Kujdes, po vijnë tërmetet!

Pas kësaj thatësire të tmerrshme mund të vijnë dhe tërmete në Shqipëri. Këtë e paralajmëroi dje kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.

 Edhe tërmetet mungojnë në Shqipëri!

Imagjinoni cilësinë e ndërtimeve të pallatëve në Shqipëri dhe hamëndësoni nëse ndodh një tërmet i fortë! “Duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës”. Ky alarm eshte ngritur nga kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili tha në një konferencë për shtyp se vendi rrezikon tërmete pas thatesirës se madhe që ka prekur vendin. Mund të ketë të drejtë në shqetsimin e merakun e tij zyrtari në fjalë, por nuk mundet kurrsesi të thuhet një paralajmërim i tillë sepse sjell panik. Shteti duhet të kontrollojë cilësinë e ndërtimeve, merr masa për situate emergjente nëse ndodh, jep udhëzime se si duhet vepruar në raste të tillë, por nuk mund të thotë në media si paralajmërim orakulli se “po vijnë tërmetet”.

“Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm së pari do të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit 67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër , Korcë etj”, tha Prençi.

Sipas tij “Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne duhet të jemi të përgatitur sepse ekziston rreziku i tërmeteve në 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca”.

Në 30 nëntor 1967 u përshi nga tërmetet zona Dibër-Librazhd, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, lëkundjet e tokës të regjistruara ditët e fundit në vendin tonë quhen mikrotërmete dhe kanë një aktivitet normal, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend me aktivitet sizmik. Por a parashikohen tërmetet? Por Rrapo Ormeni, kërkues shkencor në këtë institut, tregon për median se “Tërmetet mund të parashikohen, sepse studimet sizmiologjike kanë parashikuar zonat më aktive të vendit tonë. Por nuk mund të parashikohen në kohë, sepse tërmetet kanë procese të ndërlikuara në brendësi të tokës dhe shkenca e Sizmiologjisë e shekullit të kaluar kërkon bazën e saj të matjes së të dhënave, që të arrijë të parashikojë dhe kohën e saktë”, thotë Rrapo Ormeni.

Eksperti i Institutit të Gjeoshkencave komenton edhe deklaratën e Emergjencave Civile, që sipas Ormenit nuk është absolute. “Ka një logjikë shkencore, sipas të cilës tërmetet mesatare si këto të vendit tonë mund të përsëriten një herë në 50 vite, ndërsa tërmetet e fuqishme që janë me magnitudë mbi 7 e kanë një herë në 100 ose deri në 130 vite ciklin e tyre të përsëritjes, e zakonisht ato bien në zonat që sipas Gjeoshkencës rezultojnë aktive. Por koha është e sigurtë që nuk matet, përtej parashikimeve, pasi mund të bien një herë në 100 vite, por mund të bien edhe dy tërmete në 150 vite”, thotë më tej Ormeni.

Por cilat janë qytetet më të rrezikuara nga tërmetet në vendin tonë, sipas studimeve sizmiologjike?

“Segmenti Elbasan-Dibër ka një thyerje tërthore sizmiogjene, Vlorë, Lushnje, Elbasan, Dibër, që ka qenë dhe është më aktivja në vendin tonë”, u shpreh Rrapo Ormeni.

Paniku i krijuar dje paradite nga zyrtari i lartë i pushtetit, u mundua ta qetësonte në darke kur foli një specialist  i Institutit të Gjeoshkencave, por prapë e la shijen e frikës.

Pushteti ka nevojë të përmbush premtimet për fushatën elektorale për të cilin mori votat dhe jo në pamundësi të rrijë korrekt me ato çka thënë, të fus frikën në popull, duke i bërë njërëzit të thonë: ”Zot mos na sjell tërmete, ndaj lëre qeverinë të bëjë ç’të dojë!”.

Edhe tërmeti në favor të qeverisë?! E frikshme, nëse u tha me këtë paramendim.

A.Mati