Çfarë dorëheqje të ministrave teknikë! Ata kanë marrë pushimet verore

Në një kohë që ka lindur debati mes përfaqësuesve të opozitës për largimin e ministrave teknikë nga qeveria “Rama”, duket se vetë protagonistët e këtij diskutimi kanë nisur lejet e verës. Fatmir Mediu dhe kryetarët e partive të opozitës, përveç Lulzim Bashës, kërkojnë që ministrat të japin dorëheqjen si akt politik ndaj blerjes së votave nga PS. Por ministrat e PD janë në plazh dhe nxijnë lëkurën.

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, dhe ministrja e Financave, Helga Vukaj, kanë deleguar kompetencat e tyre te zëvendësministrat. Duken si pushime vere, pasi të dy ministrat e emëruar nga Partia Demokratike kanë caktuar delegimin e kompetencave të tyre për 15 deri në 18 ditë.

Kjo tregon se ministrat e emëruar nga PD-ja nuk kanë ndërmend të dorëhiqen gjatë gushtit, pasi në vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se pas kësaj periudhe pushimi do të kthehen sërish në detyrë për të ushtruar këto kompetenca që i kanë deleguar përkohësisht.

Ministrja e Financave, Helga Vukaj, e ka nisur delegimin e kompetencave te zëvendësministri Erion Luçi që më datë 3 gusht dhe pritet të rimarrë këto detyra deri më datë 18 gusht. Kurse ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i ka deleguar kompetencat te zëvendësministrja Rovena Voda nga data 7 gusht deri më datë 25 gusht, ku pritet të ketë po të njëjtat funksione.

“Delegimin e plotë të kompetencave të titullarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Rovena Voda, nga data 7.8.2017 deri më datë 25.8.2017. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Rovena Voda. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.”, thuhet në vendimin e firmosur nga Demiraj.

QËNDRIMI
Vetë kryetari Lulzim Basha ka deklaruar se ministrat teknikë do të largohen nga detyra sapo të përfundojnë raportet për zbulimet dhe abuzimet në zgjedhje. Ndërkohë që aleati i partisë Demokratike, Dashamir Shehi në një prononcim për “Panorama” i ka bërë thirrje Lulzim Bashës që të largojë një orë e më parë ministrat teknikë.

Sipas Shehit nuk mund të bësh opozitë, duke mbajtur gjysmën e ministrave në qeveri. Aleati i PDsë tha se Basha ia kishte premtuar se do t’i largonte ministrat që në fillim të gushtit. “Tha që do t’i largoj, por do të presim të përgatisin një raport për OSBEnë. Tani u bënë tri javë dhe ky raporti nuk është bërë. Po vjen dita që t’i heqë ligji këta ministrat, se më datë 11 mbaron mandati. S’ka më asgjë kuptim. Në qoftë se do të bëjë një gjest politik, duhet ta bëjë tani, se më mbrapa nuk do të ketë më vlerë. Aksion opozitar me ministra brenda në Qeveri nuk bëhet. Ministrat s’kanë ça bëjnë atje. Atje rrinë kot. Domethënë, në njëfarë mënyre, vënë në dyshim gjithë idenë e koalicioneve me PS-në. Paragjykojnë gjithashtu edhe rolin e opozitës”, ka thënë Shehi.

Plazhin po e shijojnë si ministra. Në shtator nuk i dihet, edhe mund të qëndrojnë prapë me kryeministër Ramën!