Marilyn Monroe 55 vite nga shuarja e mistershme e një ylli

Nga: Albert Vataj

Më 5 gusht të vitit 1962, sot 55 vite më parë, trupi i Marilyn Monroe është gjetur i pajetë në dhomën e saj të gjumit në shtëpinë e Brentwood, në Los Angeles. Vdekja e kësaj ikone për shumë kohë do të ishte në kryelistën e shuarjes së yjeve. Pavarësisht versionit zyrtar, ajo vazhdoi të mbeste një vdekje e errët, një vdekje me shumë hamendje dhe ndër më të trilluarat.

Marilyn Monroe ishte dhe mbeti një ndër emblemat e kinemasë. Ishte “ëndrra e ndaluar e Amerikës”. Ishte femra që ka bërë të përvëlohen në ethet e dëshirimeve miliona meshkuj e femra. Ishte gjithashtu simboli i gruas së viteve ’50. Një e përkëdhelur e fatit dhe e famës, një e ndëshkuar prej shkëlqimit.

Ishte bukuria dhe sharmi, eleganca dhe miklimi i saj që dalldisi burrat më të pushtetshëm që nga vëllezërit Kennedy, Frank Sinatra, Arhtuer Miler, Joe Di Maggio, etj. Guximi i bashkuar me pafajësinë, e kanë bërë akoma edhe më të adhurueshme dhe tërheqëse imazhin e saj. Por kanë qenë edhe linjat turpore të Marilyn, të një femre shëmbëllim i perfeksionit fizik, që i ka dhuruar asaj kurorën e ikonës së bukurisë artistike.

Ndoshta i gjithë ky shpërthim drite, ishte i destinuar të sakrifikonte vetë burimin, të flijonte në mistikë e mister. jo dhe as qenjen e saj fizike, se sa emrin, famën dhe mitin, rreth së cilës lidhen shumë personazhe politike dhe artistike amerikane dhe jo vetëm.

Edhe sot pas 54 vitesh nga vdekja e saj, Marilyn Monroe vazhdon të jetë një ndër femrat më të rëndësishme që është shfaqur ndonjëherë në ekranin e modës dhe TV-së.  Ajo vdiq për të lënë nga pas një mjegullnajë të dendur dyshimesh dhe hipotezash, aludimesh dhe vramendjesh.

Ajo vdiq, duke fituar edhe nga vdekja jo pak… pavdeksinë!