Turqi – Gjyqi për puçistët, 500 të arrestuar nga grushti i shtetit përpara drejtësisë

Turqia po mban seancën më të madhe gjyqsore lidhur me personat e akuzuar për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit, ndërsa përpara drejtsisë do të dalin afro 500 persona. Mes tyre përfshihet edhe kleriku Fetullah Gulen që është konsideruar si organizatori kryesor nga Ankaraja. Vendimi për të pritet të merret në mungesë, në kushtet kur ShBA nuk e ka pranuar kërkesën për ekstradim.

Afro 500 persona të arrestuar nga tentativa e dështuar e grushtit të shtetit pritet të dalin përpara drejtësisë turke, në një proces që është cilësuar si më i madhi i mbajtur që prej korrikut të vitit 2016. Seanca do të zhvillohet në një sallë speciale të krijuar pranë bazës nga ku mendohet se nisi përpjekja për rrëzimin e qeverisë. Mes personave që do të gjykohen në këtë raund të parë është edhe kleriku Fetullah Gulen. Për këtë të fundit, Ankaraja ka kërkuar vazhdimisht ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, por dicka e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Si rrjedhojë, vendimi për të akuzuarin si organizator i tentativës për grusht shteti do të jepet në mungesë. Në rradhën e parë të të akuzuarve përfshihen gjithashtu gjeneralë dhe individë të tjerë që mbanin pozita të larta në ushtrinë turke përpara korrikut të vitit që lamë pas.

Gjyqi në Ankara po mbahet në një kohë kur ka patur kriktika të shumta nga vendet perëndimore në lidhje me trajtimin e të burgosurve. Sipas Bashkimit Europian, personat që janë vënë në pranga janë trajtuar në mënyrë cnjerëzore, ndërsa është bërë thirrje për procese gjyqsore të drejta. Megjithatë, qeveria turke i konsideron akzuat të pabaza. Në Turqi ka qarkulluar vazhdimisht edhe ideja e rikthimit të dënimit me vdekje teksa miratimi i mundshëm i kësaj nisme do t’i jepte menjëherë fund përpjekjeve të Ankarasë për t’a antarësuar vendin në Bashkimin Europian.