Pas fitores, Basha “shuan” kritikët: Vlerësoj Selamin, PD e bashkuar

Pas konfirmimit të mandatit të dytë si kryetar i PD-së, në një dalje të parë për mediat, Lulzim Basha ka falenderuar të gjithë demokratët që votuan dje por nuk harroi të përshëndeste dhe falënderonte edhe rivalin në garë, Eduard Selamin por dhe të përcillte një ftesë për kritikët.

“Vota e 60 mijë demokrateve konfirmoi dje se kauza jone, e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga korrupsioni dhe droga, e kthimit të politikës tek qytetarët është kauza e drejt e kohës, është kauza me më shumë mbështetës të lirë dhe një kauzë që do të shkojë përpara pa u ndalur”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se çdo kush që i mbështet këto kauza, është i mirëpritur, duke i bërë ftesë edhe kundërshtarëve të tij në parti.

“Akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur, përkundrazi, tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejt të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarët dhe jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin dhe korrupsionin, është e mirëpritur, është pjesë e jona dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh, edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”, tha Basha.

Lulzim Basha nuk kurseu dhe falënderimin për Eduard Selamin, i cili sipas tij, i vlerësoi demokratët duke ju paraqitur një projekt dhe alternativës.

Basha premtoi se PD do të jetë më demokratike dhe se detyra e tij është ta kthejë këtë parti në pushtet, por… “Që të përmbushim aspiratat dhe pritshmëritë që kemi për veten dhe që të gjithë shqiptarët kanë ndaj nesh, ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, duke u demokratizuar, duke u modernizuar”, tha kreu i PD.