Ciraku i Maleficentit

Enton Abilekaj

Morën pjesë 20 mijë anëtarë më shumë se në 2013 dhe vetëm 5 mijë votuan Selamin. Pas humbjes se thellë në 25 qershor, pas arritjes së rezultatit më të keq në historinë e PD, pasi humbi mbi 200 mijë votues, Lulzim Bashës, jo vetëm që i janë bashkuar edhe ata që votuan Olldashin në 2013, por edhe i janë shtuar 15 mijë mbështetës.

Ky është mesazhi i zgjedhjeve në PD ne pamje të parë. Mesazhi i vërtetë është se konkurrenca nuk ka më asnjë vlerë. Pasi merr një detyrë, nuk ka rëndësi rezultati, nuk ka rëndësi si e përdor pushtetin, si i ushtrove kompetencat, çfarë fryme krijove. E vetmja gjë e rëndësishme është të krijosh aleancën e duhur me pronarin, të pastrosh terrenin nga konkurrentët dhe kundërshtarët, të shuash çdo shpresë për ndryshim duke kontrolluar çdo qelizë nëpërmjet joshjes apo presionit.

Në fund shpërblehesh me më shumë pushtet, me më pak konkurrentë, me më shumë mbështetës që u nxjerrin sytë kundërshtarëve. Nuk ka rëndësi nëse je mbret i shkretëtirës apo gjeli në majë të plehut, e rëndësishme është që është e jotja gjithçka të sheh syri.

Ky është mesazhi i vërtetë i zgjedhjeve në PD. Ai që u soll si alternativë e Edi Ramës në katër vjet, ai qe nuk e ngjalli dot shpresën duke mos ngjallur dot konkurrencën para zgjedhjeve, tregoi në fakt që nuk ka qenë projekti i tij, krijimi i një shoqërie perëndimore, investimi për një demokraci funksionale. Ai tregoi që është aleati më i madh i Edi Ramës, bir besnik i kastës së kalbur, rrënues i palodhur i shpresave të atyre pak shqiptarëve që duan ndryshim.

Në më shumë se 25 vjet, kur mendohej se erdhi koha e mundësive të barabarta, kur mendohej se biografia u zëvendësua me aftësinë, kur mendohej se besnikëria u zëvendësua me përkushtimin dhe teserat e partisë me idetë, muret e larta të pushteteve të korruptuara, bllokonin gjithçka.

Zhvillimi nuk erdhi, se biznesmenët që korruptonin dhe qeveritarët që korruptoheshin, e shkatërruan konkurrencën në sektorin privat, se teserat e partisë dhe paratë në dorë e shkatërruan konkurrencën në sektorin shtetëror. Aleanca e keqbërësve qeveriste duke shkatërruar konkurrentët dhe duke eliminuar kundërshtarët.

Ne këto kushte, 2013 solli një terren të ri. Një kryeministër që erdhi me premtimin për të flakur 21 vitet e tranzicionit, me një kryetar opozite që fitoi me premtimin e një kulture të re politike. Rama, rrëmbeu me shpejtësi veset e paraardhësve bashkë me oligarkët që kishin prodhuar së bashku.

Ekonomia iu dorëzuar pa konkurrencë, pa tendera e prokurime grupit të oligarkëve – miq. Konkurrenca në privat, jo vetëm që vazhdoi të shkatërrohej nga korrupsioni, por u përqendrua në një grup të vogël interesash ekonomiko- politike, në kurriz të qindra e mijëra bizneseve të mesme e të vogla që u shndërruan në aplikues për azil në Perëndim.

Në shtet, u shpik tepsia e koalicionit, ajo tepsi që shpikësi vendosi ta bënte skrap në 2017. Keqbërësit u shtuan, sikur të ishte në pushtet vetë Maleficenti. Statistikat e konfirmojnë, Shqipëria nuk është më në vend të dytë si në kohën e Berishës. Zë vendin e parë në Gjermani dhe në Francë për azilkërkuesit, depresioni ka mbërthyer shqiptarët, kutitë e votimit u braktisën.

Në këto kushte, opozita kishte detyrën e lehtë, që të tregonte vetëm dallimin. Nuk ia arriti të dilte kundër të shkuarës, nuk ia arriti të dilte kundër oligarkëve, nuk ia arriti të krijonte modelin e opozitës perëndimore, nuk ia arriti të zëvendësonte emërimet me votën, errësirën e kulisave me transparencën. Dekriminalizimi dhe ndarja nga krimi, ishin dy shenjat që dhanë shpresë.

Kauza e zgjedhjeve te lira që u ngrit bashkë me çadrën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, arrit të sillte një puhizë shprese. Për 90 ditë, deri në ditën kur Lulzim Basha u fut në errësirën e kulisave për të shkatërruar gjithçka. Gjithçka ndodhi më pas, e konfirmoi Bashën, si çirakun e Maleficentit, jo si kundërshtarin e tij. 22 Korriku ishte fundi i keqbërjes, sepse i dha fund edhe asaj hapësire konkurrence që u themelua në PD në 2013. Sado e përçudnuar, ajo jepte një mundësi për të korrigjuar diçka.

Lulzim Basha hyri në histori tashmë, jo vetëm si përçarësi i PD, jo vetëm si shndërrues i opozitës në satelitin e pushtetit, por edhe si shkatërruesi i asaj cope të fundit shprese që mbante gjallë konkurrenca në PD./Syri.net/