Kush e vrau adoleshenten ruse në Ksamil?

Mentor Kikia

Organet hetimore, prokuroria dhe policia, kanë një detyrë urgjente: Të sqarojnë rrethanat e humbjes së jetës së një vajze të re që, kishte ardhur nga Shën Petërburgu për të pushuar në Ksamil. Dëshmitë e para flasin se adoleshentja është goditur nga një motor uji. Ka dyshime se ngjarja mund të fshihet, pra të konsiderohet si aksident në shkëmb.

Sot lexova se hetimi ka ngecur për shkak të një defekti në laboratorin e mjekësisë ligjore. Nëse është kështu, pra që mund të manipulohet, kjo është një vrasje më e rëndë se vetë vrasja. Por nëse vërtetohet se vajza është vrarë nga një motor uji, atëherë policia nuk ka pse kërkon fare motoristin që është zhdukur pasi ka ndodhur ngjarja. Në burg duhet të shkojnë drejtuesit e policisë. Po po, drejtuesit e policisë. Çdo vit është e njëjta histori. Çdo vit motorët u hapin kokën njerëzve ndërsa lahen. Ka ndodhur në Durrës, në Vlorë, në Himarë, në Sarandë… Sepse aventurierët, qejflinjtë dhe pasanikët e rinj duan të kapardisen mes njerëzve me motorë e skafe të bukur.

Dhe çdo vit bëhen nga qeveria apo ministria e brendshme deklarata që motorët të mos lejohen të futen në zonat ku lahen njerëzit. Dhe çdo vit thuhet se do të vendosen zonat e sigurisë. Dhe çdo vit kërcënohet e paralajmërohet. Dhe asnjëherë nuk bëhet asgjë.

A nuk ishte një biznesmen qe vjet vrau po një turist rus në Himarë me skafin e tij? Përse dreqin është kaq e vështirë të funksionojë një rregull në këtë vend? Nëse bllokohet qoftë edhe një motor uji apo gomone që lundron mes njerëzve, jam i sigurt se askush nuk do të guxojë të futet më. Por kjo nuk ndodh.

Nëse Ksenia Roik nga Shën Peterburgu, është vrarë nga motori i ujit, atëherë merreni dhe bëjeni spot e transmetojeni në CNN dhe BBC, që të vijnë më shumë turistë vitin tjetër.