Vijon “sherri” mes deputeteve të PD, Halimi: Gjuhë primitive…, Deda: Mos bëj avokaten e…

Gara në Partinë Demokratike po shoqërohen me kritika të ashpëra, ardhur edhe nga humbja drastike që kjo forcë politike mori në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit. Debati mbi garën mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit, nuk ka kursyer as miqësitë brenda grupit.

E tillë është edhe përplasja e dy kolegeve dhe mikeshave, kjo në facebook. Arbjola Halimi në një postim në rrjetin social, ka kritikuar kolegen e saj, mikeshën e saj, Albina Dedën. Edhe pse të dyja nuk u përfshinë në listën e kandidatëve kjo nuk i pengoi për të qëndruar në heshtje gjatë fushatës.

Duket se miqësia njeh limite dhe sot Halimi nuk i ka kapërdirë fjalët e rënda të deputetes Deda, drejtuar “pseudodemokratëve”. Albina Deda është parë mbështetëse e kreut të vetë ngrirë të PD-së ku në të kundërtën Halimi ka shprehur hapur kritikat ndaj Bashës.

Por çfarë e shqetësoi deputeten Halimi, që ti dalë publikisht e që me finesë të “injorojë” mikeshën e saj? Ne po ju sjellin një pjesë të tekstit që Deda ka postuar sot në rrjetin social facebook.

Ajo shkruan se:”Pas zgjedhjeve vjen gushti e me gushtin, ikën dhe vapa që ka nxehur sulmuesit e sponsorizuar, atyre që duket se ju tha uji në arën e përfitimit të pamerituar! Vetëm demokratët e thjeshtë qëndrestare e ruajtën freskinë e qetësinë. Kjo kurorë lavdie kurrë nuk hoqi dorë dhe nuk e linçoi PD-në prej 27 vitesh. Respekti është pak dhe mirënjohja i shoqëroftë këta fisnikë të vërtetë. Ata vetëm ata dhe jo Lefterët e Lefteriet janë shtylla kurrizore e PD-së. Të tjerët janë brumbuj, zvarranikë që zvarriten, zhaba kanalesh të zeza që presin me padurim gjuetarë për tju dhuruar këmbët që të fërgohen në tiganin e poshtërsise”.

Kaq ka mjaftuar që Halimi ti dalë kundër kësaj qasje, të cilën e cilëson si “gjuhë e ashpër dhe ofenduese”. Por deputetja shkon edhe më tej, ku qëndrim e koleges së saj e cilëson si primitiv, pasi sipas saj do të jetë koha ajo që do të zgjedh e gjykojë “psedudemokratët” por mbi të gjitha, Halimi insiston se nuk duhet gjykuar ata që bëjnë kritikë.

“E dashur Albinë. Në respekt të miqësisë që kemi do kisha dashur të heshtja. Mirëpo gjuha e ashpër dhe ofenduese që u drejtohet të gjithë atyre që nuk mendojnë si ju, më shqetësoi thellë. Primitive është pikërisht kjo gjuhë. Njeriu i lirë mund të zgjedhë të gjykojë si të dojë, nuk ka përse kritikohet. Se kush është më demokrat këtë do ta tregojë koha. Vetem se diçka do e them. Ata që të duken ty sot si viganë, ndoshta nga vendi nga ai sheh, mund të jenë brumbujt e vërtetë që i rropën deri edhe kockat Partisë Demokratike dhe nëse kjo kushton për ta thënë, pak rëndësi ka. Njeriu frikë ka vetëm Zotin”,-shkruan Halimi.

Kaq ka mjaftuar dhe përplasja mes dy mikeshave të nis në rrjete sociale. Pas komentit të Halimit, Deda ju kundërpërgjigjet, ku edhe i shkroi që është e drejta e saj edhe të ndërpresë këtë miqësi. Por Deda, ka mbetur e shtangur nga idhnimi i Arbjola Halimit.

“Nuk arrij ta kuptoj surprizimin dhe idhnimin tënd deri në palcë nga opinioni im i cili nuk ka ndryshuar as para dhe as prapa kandidimit. Unë e tillë jam e vendosur dhe vendosmërinë ma dikton geni. Asnjë nuk më duket mbi njeri”, shkruan Deda.

Deda e cila mbështet Bashën, thekson se do vazhdojë të shkruaj kundër “atyre monstrave që nga abuzimi i tyre shumvjeçar me pushtetin u pasuruan dhe bënë që PD të katandiset në pabesueshmëri publike”. Duket se gara në PD, jo vetëm ka nxitur krisje në rup por edhe në marrëdhënien mes kolegeve. Deda i thotë shkurt e qartë Halimit, që të mos bëjë “avokaten e djallit”.

“Ata sabotuan zgjedhjet dhe shiten për ego apo para shpirtin e tyre. Ty nuk të shoh në atë kategori dhe as të mendoj. Është e drejta jote të mendosh ndryshe si dhe të ndërpresësh miqësinë tonë por kujdes kur shkruan me mua si avokate e djallit”, thuhet në kundërpërgjigjen e Dedës.

RSH